Berisha, në zgjedhje në aleancë me Metën, Idrizin dhe Dash Shehin?
LSI-ja kërkohet nga PS-ja në një mision politik që të divorcohet publikisht nga qeverisja me Partinë Demokratike, por Ilir Meta e ka vendosur që do të bëjë koalicion parazgjedhor me Berishën, bashkë me PDIU-në e Shpëtim Idrizit dhe LZHK-në e Dashamir Shehut, raporton e përditshmja Shqip.
Por jo vetëm, por duke shtuar republikanët e Mediut, legalistët e Spahisë, ballistët demokratë të Roshit dhe liberalët e Starovës. Burime nga mazhoranca bëjnë të ditur se tashmë është vendosur grupimi politik antiopozitar që do të konkurrojë më 23 qershor 2013.
Përballë Edi Ramës, Bamir Topit, Kreshnik Spahiut, Skënder Gjinushit, Spartak Ngjelës, Paskal Milos, Preç Zogajt, Petro Koçit me shokë do të jetë Sali Berisha, Ilir Meta, Shpëtim Idrizi, Fatmir Mediu, Dashamir Shehi, Ekrem Spahia, Artur Roshi, Arjan Starova, etj. Ky është konfigurimi politik në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, por ende nuk ka një përcaktim të qartë nga partitë e dyta.