Berisha nga Brukseli: PPE mbështet integrimin e Shqipërisë në BE të bazuar në meritë

TIRANË, 18 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga Brukseli ku po merr pjesë në 50-vjetorin e Partisë Popullore Europiane (PPE), deklaroi se kjo forcë politike mbështet plotësisht Partinë Demokratike dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por mbi bazën e meritës.
Në një prononcim për mediet, Berisha e cilësoi të shkëlqyer raportin mes PD-së dhe PPE-së, duke theksuar se kjo e fundit ka miratuar rezoluta në mbështetje të opozitës shqiptare dhe ka dënuar proceset zgjedhore në vend.
Ai nënvizoi se PPE mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por mbi bazën e meritës dhe standardeve, në përputhje me kërkesat e vetë opozitës.
“Raporti i PD me Partinë Popullore është i shkëlqyer. Janë disa rezoluta që kanë shprehur mbështetjen e plotë për PD dhe dënimin e hapur të farsës elektorale dhe të regjimit të Edi Ramës. PPE mbështet plotësisht procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, por një proces të bazuar në meritë, siç është edhe kërkesa jona”, tha Berisha.
Berisha tha se Shqipëria ka mbetur pas në procesin e integrimit, ndryshe nga vende të tjera të rajonit.
”Ndërkohë që vende si Mali i Zi po avancojnë, Shqipëria mbetet në një situatë bllokimi për shkak të korrupsionit”, u shpreh Berisha.
/m.q/r.e/