Berisha nga forumi i IDU në Zagreb: Intensifikim i bashkëpunimit me partnerët

TIRANË, 1 maj/ATSH/ Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka zhvilluar një sërë takimesh gjatë pjesëmarrjes në Forumin e IDU-së zhvilluar në Zagreb të Kroacisë ku ka mbajtur dhe një fjalë në panelin qendror të këtij forumi, pjesë e së cilit janë mbi 80 parti të djathta dhe konservatore.
Në një prononcim për mediet, Berisha e cilësoi ditën si intensive, duke e vënë theksin në veçanti te takimi me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç. “Me Kroacinë, ne kemi patur dhe kemi marrëdhënie të shkëlqyera. Dy vendet tona janë vende vërtet mike. Me partinë HDZ të kryeministrit, kemi një aleancë 30-vjeçare, një bashkëpunim 30-vjeçar. Dhe kam kënaqësinë se ky bashkëpunim gjatë kësaj periudhe që drejtohet nga kryeministri Plenkoviç, bashkëpunimi midis dy partive tona ka njohur dimensione të reja dhe do njohë dimensione të reja në të ardhmen”, pohoi ai.
Berisha bëri me dije se “diskutuam gjerësisht për bashkëpunimin e mundshëm midis dy partive, si dhe për gjendjen në Shqipëri, kushtet të cilat ndodhet opozita shqiptare, aktet represive të regjimit ndaj opozitës, por dhe ndaj qytetarëve shqiptarë. Ishte një takim në të cilin, i cili u kalua në mirëkuptim të plotë dhe ramë dakord për zgjerimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit midis dy partive tona”.
Kryetari i PD-së theksoi se IDU ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e rëndësishme e Partisë Demokratike, ndërsa theksoi angazhimin e plotë të partisë që ai drejton për integrimin evropian, duke e konsideruar atë si të ardhmen më të mirë për shqiptarët.
“Kam takuar këtu edhe miq të tjerë, siç e patë, ishim në një panel kushtuar problemeve të zgjerimit, me personalitete, me ministra të Jashtëm të Kroacisë, me Komisionerin e Lartë të Bashkimit Evropian për Bosnjë-Hercegovinën, me ministrin e jashtëm të Maqedonisë. Në këtë panel, i cili drejtohej nga përfaqësues i lartë i Institutit Republikan, pata rastin të paraqes problematikat e mëdha me të cilat përballet Shqipëria sot, angazhimin e madh të Partisë Demokratike për integrimin e Shqipërisë në Evropë si të ardhmen më të mirë të shqiptarëve, por dhe pengesat jashtëzakonisht serioze, siç është shndërrimi i zgjedhjeve në farsë elektorale për shkak të pushtetit, droga dhe narkoshteti si faktor rrënues të qenies shqiptare”, tha ai.
Berisha u shpreh se “nismat aberative të mbrapshta, rajonale të Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç, me të cilat janë përpjekur me të gjitha mënyrat de facto të zëvendësojnë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, me procese si Ballkani i hapur apo me letrën e fundit që shkruajtën dhe e botuan në ‘Frankfurter Allgemeine’ ku kërkuan një anëtarësim të dorës së dytë, një procedurë të re e cila nuk ekziston në Bashkimin Evropian”.
Në kuadër të vizitës treditore në Zagreb, Berisha zhvilloi një takim me ish-Presidentin e Kroacisë, Stjepan Mesic
“Gjatë takimit, Berisha dhe Mediu falënderuan Mesic, të cilin e cilësuan si një mik të vjetër të tyre dhe të shqiptarëve, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj kombit shqiptar, veçanërisht për Pavarësinë e Kosovës dhe bashkëpunimin e tij, si dhe të Kroacisë, në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”, bëri me dije zyra e shtypit e PD-së.
Berisha u shpreh kritik ndaj situatës aktuale në Shqipëri, duke theksuar se ndryshe nga Kroacia, e cila tashmë është vend anëtar i Bashkimit Evropian, Shqipëria ka shënuar regres. Sipas kryetarit të PD-së, korrupsioni, krimi i organizuar dhe mungesa e zgjedhjeve të lira kanë ndikuar negativisht në rrugën europiane të vendit.
Ish-Presidenti Mesic theksoi se shqiptarët duhet të ndjekin çdo rrugë demokratike për t’u përballur me sfidat dhe për të kapërcyer situatat e vështira me të cilat përballet vendi.