Berisha njofton mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Rithemelimit të shtunën

Ish-kryeministri Sali Berisha i cili udhëheq grupimin e Rithemelimit brenda PD ka njoftuar se do të mbledhë Këshillin Kombëtar të ditën e shtunë.
Njoftimi erdhi ndërsa gjykata ende nuk ka marrë një vendim për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj tij në arrest shtëpie ose arrest me burg, pas kërkesës së parlamentit .
Gjatë mbledhjes të së enjtes zoti Berisha tha se “nuk ka ndodhur kurrë që të kërkohet arrestimi i një deputeti pa paraqitur asnjë provë, fakt apo dokument”.
“Kurrë nuk ka ndodhur në 32 vite, që një deputeti t’i hiqet e drejta e lëvizjes jashtë shteti me një vendim gjykate, duke dhunuar nenin respektiv të Kushtetutës. Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e parlamentit që kryetari i opozitës të mos pyetet ndonjëherë dhe të sajohet një piramidë mashtrimi dhe nuk pyetet, për shkakun e vetëm sepse jo në një gjysmë ore, por në 20 minuta, rrafshon me dritën e të vërtetës atë piramidë”, tha ai.
Zoti Berisha paralajmëroi me këtë rast një lëvizje të fuqishme. “Duhet ta konceptojmë qëndresën tonë, betejën tonë pa kthim, para së gjithash si një betejë të atyre që guxojnë. Me një lëvizje të fuqishme në mbarë vendin, ju garantoj se nuk mbetemi forca e vetme e shpresës, por forca më e sigurt e fitores për shqiptarët” bëri thirrje ish-kryeministri Sali Berisha i cili udhëheq grupimin e Rithemelimit brenda PD.
/ rtsh.al /