Berisha njofton protestën: Edi Rama na shpalli luftë, më 29 tetor paralizojmë regjimin

Partia Demokratike ka menduar një protestë të gjerë më 29 tetor, si kundërpërgjigje për izolimin ku e gjen veten opozita përballë qeverisë, por edhe si reagim ndaj arrestimit të sotëm të liderit të PL-së, Ilir Meta.
Duke iu drejtuar me një mesazh nga shtëpia Kryesisë së PD-së, kryedemokrati Sali Berisha kërkoi nga qytetarët që të ashpërsojnë aktet e mosbindjes civile, për t’iu përgjigjur “luftës” që i ka shpallur kryeministri Edi Rama.
“Edi Rama na shpalli luftë, ne i përgjigjemi. Por kjo betejë kërkon vazhdimin intensiv të saj.
Kjo betejë kërkon udhëheqje nga ana juaj, të demokratëve dhe mbështetësve tanë në një mosbindje civile për të shpëtuar këtë vend.
Para syve, para kamerave, publikut shqiptar dhe të botës ndodhin akte të cilat edhe në diktaturë nuk ishin kaq publike. Qëllimi i tyre kryesor është të frikësojnë qytetarët. Detyra jonë është t’i inkurajojmë, t’u japim zemër, të dalim vet në krye, të japim shembullin tonë.
Se cilat janë zgjedhjet me Edi Ramën, mos harroni kurrë skenat te kthesa e Kamzës, të cilat duhet t’i themi, nuk i bën as Putini, as Lukashenko. Nuk i bën njeri në Europë. Të jemi të sinqertë, nuk i bënte diktatura kaq publike.
Pra, këto skena kaq publike janë thirrje për ne, thirrje për guximin tonë, janë thirrje për qytetarët: të ngrihemi me të gjitha mjetet e mosbindjes civile!“
/rtsh.al/