E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha paralajmëron komision hetimor për zgjedhjet dhe McGonigal

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se dokumentimi dhe vërtetimi i të gjitha shkeljeve të rënda ligjore gjatë procesit zgjedhor është detyrim i panegociueshëm për PD-në.

Në një deklaratë për mediet, Berisha akuzoi qeverinë dhe institucionet e drejtësisë për bashkëpunim në një “farsë elektorale”, ndërsa paralajmëroi ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet.

“Dokumentimi, vërtetimi i të gjitha shkeljeve të rënda ligjore të procesit zgjedhor, i të gjitha mekanizmave të shndërrimit të tij në një farsë, është detyrimi më absolut i PD-së para demokratëve shqiptarëve, para zgjedhësve shqiptarë,” u shpreh Berisha.

Duke iu referuar vendimeve të institucioneve të drejtësisë, ai pretendon se “99.9 për qind e tyre janë dhënë kundër opozitës” që nga 20 marsi e deri më sot, duke akuzuar sistemin gjyqësor për kapje nga mazhoranca.

Në vijim, Berisha komentoi edhe mbi zhvillimet më të fundit në lidhje me dosjen “McGonigal”, duke pretenduar se hetimi ndaj kryeministrit Edi Rama në SHBA është ende aktiv, pavarësisht përpjekjeve për ta mbyllur.

“Pa diskutim që Komisioni i parë hetimor parlamentar që do të ngrihet është Komisioni për farsën elektorale. Së dyti, komisioni për McGonigal në dritën, tani të jem i sinqertë, siç e shifni ju, raporti i Inspektorit të Përgjithshëm, ka shumë gjëra që nuk kanë qenë në media, dhe ne të dhënat i kemi patur“, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›