E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha për ambasadorin Gonzato: Ka transmetuar trillime për opozitën në Bruksel

TIRANË, 9 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian për Shqipërinë përbën një “mbështetje të fuqishme” për opozitën dhe qytetarët shqiptarë, ndërsa paralajmëroi se mosadresimi i problemeve të evidentuara mund të sjellë pasoja serioze për procesin e integrimit europian.

Gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, Berisha tha se raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian u hartua pas një misioni faktmbledhës të zhvilluar në Shqipëri me kërkesë të opozitës. Sipas tij, delegacione nga grupet parlamentare europiane dhe Partia Popullore Europiane verifikuan në terren situatën politike dhe institucionale në vend.

“Ai raport ka një histori, e cila bazohet në qëmtimin, në verifikimin e të vërtetave në vend nga një komision faktmbledhës që erdhi në Shqipëri me kërkesën e opozitës shqiptare. Partia Popullore Europiane solli një mision faktmbledhës të përbërë nga përfaqësuesit e 30 partive të qendrës së djathtë në Europë. Pra, gjërat u konstatuan në vend dhe unë mund t’ju them se në atë raport është radiografia reale e situatës në Shqipëri, janë bërë 300 e ca ndërhyrje dhe amendime”, theksoi Berisha.

Sipas tij, raporti konstaton një mori të pafundme problemesh që ekzistojnë dhe bën thirrje të adresohen.

“Përndryshe, mosadresimi i tyre ka pastaj raport tjetër në të cilin i thuhet që të ndërpritet të gjitha bashkëpunimet me Shqipërinë. Ky raport do të kalojë në seancë plenare në qershor dhe ky raport është një mbështetje e fuqishme për popullin shqiptar, për qytetarët shqiptarë dhe opozitën shqiptare në rrugën e integrimit”, tha Berisha.

Berisha komentoi edhe rolin e ambasadorit të Bashkimi Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, për të cilin tha se “është njehsuar me Edi Ramën”.

Sipas kreut të opozitës, Gonzato ka përcjellë në Bruksel “interpretime të pavërteta” për opozitën dhe qëndrimin e saj ndaj integrimit europian.

“Sa i përket ambasadorit aktual, unë kam shprehur se ky sillet si të ishte ambasador i Edi Ramës. Mbase, ky zotëri, në mënyrë të vërtetuar ka transmetuar në Bruksel trillimet më të pavërteta ndaj opozitës. Sikur opozita nuk është për integrimin. Për të mos treguar shumë gjëra të tjera”, tha ai.

Berisha theksoi se Partia Demokratike mbetet “thellësisht e orientuar” drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Eksponentë të rëndësishëm të Bashkimit Europian ia kanë bërë të qartë në prani të të tjerëve se opozita, se Partia Demokratike është thellësisht e orientuar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, vuri në dukje Berisha.

“Ndaj dhe ai ka bërë zgjedhjen e vet. Është unifikuar komplet me Edi Ramën. Dhe sa herë unë thoja ndonjë të vërtetë, bashkë me ndonjë lobist të tjetër të tij në Komisionin Europian, lëshojnë deklarata. Por unë absolutisht shqiptarëve dhe Bashkimit dhe partnerëve europianë do t’u them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, tha Berisha.

/m.q/r.e/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›