Berisha për ndarjen nga jeta të gazetarit Enrik Mehmeti: Profesionist i guximshëm

TIRANË,19 korrik /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shprehu ngushëllimet për ndarjen tragjike nga jeta të gazetarit Enrik Mehmeti, duke e cilësuar atë një profesionist të talentuar dhe një zë të rëndësishëm të qytetarëve të Vlorës.
Në një reagim në rrjetet sociale, Berisha u shpreh se kjo është një ditë zie për familjen Mehmeti, për gazetarinë dhe median në vend, si dhe për qytetin e Vlorës.
“Enrik Mehmeti do të mbahet mend gjithmonë nga familja dhe qyteti i tij si bir, bashkëshort, prind dhe qytetar shembullor, si një gazetar i talentuar, i guximshëm dhe avokat i vërtetë i interesit publik të qytetarëve të Vlorës”, shkroi Berisha.
Ai i shprehu ngushëllimet familjes, të afërmve dhe kolegëve të gazetarit, duke uruar që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar.
Gazetari Enrik Mehmeti u nda nga jeta në moshën 40-vjeçare pas një aksidenti me motor në zonën e Porto Novës, në Zvërnec të Vlorës.
/gj.m/j.p/