Berisha për protestën: Mos u impresiononi nga thirrjet e një grupi të vogël që paguhen nga Sorosi

TIRANË, 27 qershor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se protesta qytetare duhet të fitojë dhe çdo shqiptar duhet të kontribuojë për suksesin e saj historik.
Sipas Berishës, kryefjala e zhvillimeve në Shqipëri ka qenë dhe mbetet protesta madhështore e të rinjve dhe qytetarëve shqiptarë.
“Protestë e qendrestarëve të pamposhtur, e idealeve më të larta dhe fisnike të të rinjve shqiptare. Nga viti 1990 gjer sot, Shqipëria nuk ka njohur ndonjëherë një protestë rinore, një eksplozion të idealeve, emocioneve, civilitetit të të rinjve shqiptarë, të mbështetur dhe nga qytetarët shqiptarë, por edhe nga diaspora dhe qytetet e tjera shqiptare”, tha Berisha.
Në këtë kuadër, Berisha theksoi se vazhdimësia e protestës, masiviteti i saj i përnatshëm janë bërë burim shprese, kanë ngrohur zemrat e qytetarëve shqiptarë në Shqipëri dhe mbarë botën ku janë.
“Kjo protestë duhet të fitojë dhe ka vetëm një kusht: mbështetjen e fuqishme nga mbarë qytetarët shqiptarë. Thirrja ime është për çdo demokrate e demokrat, për çdo shqiptar kudo që ndodhen, në Shqipëri, jashtë saj, në diasporë, të mbështesë protestën e të rinjve shqiptarë si shpresa më e bukur për shqiptarët, Shqipërinë dhe të ardhmen e vendit.
Secili shqiptar duhet të mendojë për një moment se do të jetë historik kontributi i tij në suksesin e kësaj proteste”, shtoi ai.
Berisha komentoi edhe shpalljen nongrata të protestueses Ikballe Huduti pse kishte një foto me Ahmedinaxhadin.
“Kam qenë kryeministër në pushtet kur shërbimet e huaja më informojnë se Edi Rama ka shkuar në Teheran dhe është takuar me Ahmedinaxhadin. Dhe se Erion Veliaj e ka bërë atë rrugë disa herë. Dhe natyrisht nga hetimet e organeve kompetente doli se të paktën në një rast, Rama kishte shkuar në Internacionalen Socialiste të mbledhur në Iran nga Ahmedinaxhadi”, u shpreh Berisha.
Po ashtu, Berisha theksoi se “në shkallë ekstreme u përbalt një nga heronjtë më të lavdishëm të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar në fund të shekullit të 20, Tahir Sinani”.
“Nxorën, rrëmuan si hiena të policisë sekrete të dikurshme fatura, dokumente pa asnjë interpretim, për të përbaltur luftën, për të përbaltur UÇK-në, për fajin e vetëm se në këtë protestë midis flamujve del edhe flamuri i UÇK, etj.”, u shpreh Berisha.
Berisha po ashtu shtoi se “demokratët të gjithë janë në protestë. Dhe në këtë protestë marrin pjesë qindra dhe mijëra demokratë në mënyrë të vazhdueshme. Dhe unë mendoj se ka qenë vendimi më i drejtë që ata kanë marrë. Nuk kanë shkuar me simbole të partisë, kanë shkuar si qytetarë, si demokratë.
“Për sa u përket sloganeve, ka disa momente, nuk kanë asnjë lidhje me idealet e vërteta rinore qytetare. Janë slogane klithma mjerane të opozitës së opozitës, me të cilat ajo duke krahasuar Edi Ramën me Sali Berishën, duke krahasuar dy të pakrahasueshme në mënyrë absolute në çdo aspekt, kërkon të zbusë pozicionin e Edi Ramës”, u shpreh Berisha.
“Nuk ka në historinë e botës kush të protestojë kundër opozitës dhe qeverisë njëkohësisht. Të barazojë qeverinë me opozitën. Këto janë të gjitha dufe dhe mllefe të atyre që hyjnë në politikë si shërbëtorë të qeverisë dhe mendojnë se mund të spostojnë opozitën vigane, e cila kaloi një kalvar të papërsëritshëm në Evropë dhe u provua para shqiptarëve si opozita e vërtetë dhe e fuqishme e këtij vendi. Ndaj dhe u ftoj ju, asnjë impresion nga ato klithma, mbështetje të plotë, pasi ato nuk janë britma që dalin nga idealet e të rinjve shqiptarë, qytetarëve shqiptarë, por dalin nga opozita e opozitës dhe grupe të vogla të armikut të egër të opozitës shqiptare, Xhorxh Soros, që paguan për to”, përfundoi Berisha.
/m.m/a.f/r.e/