E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha pret Zv.Presidentin e OSBE-së Wolfgang Grossruck

Kryeministri Berisha priti sot një delegacion, të kryesuar nga Zv. Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, zoti Wolfgang Grossruck. Në këtë takim merrte pjesë dhe Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Robert Bosch. Nw fjalwn e tij kryeministri Berisha theksoi se në këto zgjedhje u eliminuan përfundimisht, për herë të parë, fenomenet negative që kanë nxirë zgjedhjet e mëparshme në vend, fenomeni i "dushkut", problemet në listat e zgjedhësve dhe identifikimi i tyre, falë edhe kontributit të OSBE-së.
Kryeministri gjithashtu theksoi se dita e votimit dhe procesi i numërimit në 4750 qendra votimi dhe 66 qendra numërimi të votave ishin plotësisht të qeta si dhe se, si kurrë më parë, të gjithë komisionerët, përfshirë edhe ata të opozitës, kanë firmosur procesverbalet dhe tabelat e rezultateve në të gjitha qendrat e votimit, përveç 15 prej tyre, dëshmi kjo e transparencës së procesit dhe e maturisë demokratike të komisionerëve.
Kryeministri nënvizoi se për herë të parë në historinë e zgjedhjeve, edhe pas kundërshtive dhe debateve mes anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të propozuar nga forcat politike, KQZ-ja miratoi çdo mandat dhe rezultatin e përgjithshëm me votim unanim 7-0.
Ndërsa Zv. Presidenti i OSBE-së Wolfgang Grossruck Grossruck shprehu kënaqësinë që zgjedhjet ishin të mira dhe pa tensione dhe se u konstatuan vetëm disa problem teknike. Ai u shpreh se raporti i OSBE/ODIHR, i cili do të dalë më vonë, do të përmbajë natyrisht rekomandime për përmirësimin e këtyre problemeve dhe ftoi autoritetet shqiptare t'i merrnin ato në shqyrtim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›