E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha prezanton amendamentet e PD-së për buxhetin: Prioritet, minimumi jetik prej 200 eurosh

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha prezantoi sot amendamentet e Partisë Demokratike për projektbuxhetin 2025, ndërsa shtoi se  kryeamendamenti do jetë minimumi jetik prej 200 eurosh.

Berisha tha se amendamentet e PD-së parashikojnë rritjen e pensioneve dhe pesëfishimin e fondit për rritjen e tyre, pra nga 16 milionë euro në 80 milionë euro.

“Parashikohet trefishimi i fondeve për të përndjekurit politikë, (nga 1.2 miliardë leke në 4.2 miliardë lekë); rritja me 1% të PBB-se të buxhetit të arsimit (dhe rritje graduale me 1% çdo vit derisa të arrijë në shifrën 5 për qind); rrritja me 1% te PBB-se të buxhetit të shëndetësisë (rritje graduale me 1% çdo vit gjer në shifrën 5 për qind); rritje me 50% të fondeve për barnat e rimbursueshme (60 milionë euro shtesë). Kanë hequr nga rimbursimi ilaçet jetike, sidomos për pensionistët dhe të tjerë”, tha Berisha.

Po ashtu, Berisha tha se PD kërkon pezullimin e menjëhershëm të të gjitha pagesave buxhetore për PPP-të në shëndetësi (përveç dializës).

“Kërkojmë rritjen me 10% të pagave të gjithë administratës publike (përveç pagave të larta); rritje me 20% të pagave të mësuesve dhe pedagogëve, mjekëve dhe infermierëve.
Fondi për kërkimin shkencor të rritet në 20 milionë euro. Rritja e transfertës së pakushtëzuar për bashkitë me një shtesë prej 130 milionë euro. Mbështetje e prodhimit vendas me 50 milionë euro. Katërfishim i subvencionit për fermerët, blegtorët dhe agroindustrinë, nga 30 në 120 milionë euro”, shtoi ai.

Po ashtu, një tjetër amendament i PD-së ka të bëjë me rritjen jo më pak se 15 milionë euro shtesë fondeve për Spitalin Onkologjik duke vendosur 10 për qind të akcizës.

“Kërkojmë përgjysmimin e shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore dhe vendore (pa cenuar shpenzimet jetike, të sigurisë dhe vendimet gjyqësore të formës së prerë), si dhe trefishimin e fondeve për mirëmbajtjen e rrugëve”, shtoi Berisha.

Duke folur për bonusin e fundvitit, Berisha theksoi se bonusi i fundvitit janë paratë që i janë vjedhur pensionistëve nga muaji mars deri në tetor, pasi duhet të merrnin shtesën 4 për qind duke nisur nga data 1 mars.

Berisha tha se protesta kundër buxhetit do të zhvillohet dhe nuk ka forcë në botë që ndalon zemërimin qytetar.

“Sigurisht qeveria do bëjë gjithçka, por edhe ne do bëjmë gjithçka që protesta të zhvillohet gjatë kohës që bëhet diskutimi. Natyrisht protesta do mbahet”, shtoi Berisha. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›