Berisha prezanton kandidatët në Vlorë: Me PD, shqiptarët në krye të vendeve të rajonit për rrogat e pensionet

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha prezantoi kandidatët e koalicionit “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” për qarkun e Vlorës.
Berisha tha se pas 11 majit, sipas tij, Shqipëria do të nisë udhën për të dalë në krye të vendeve të rajoni për rrogat, pensionet dhe për mbështetjen e tyre nga shteti.
“Miqtë e mi, unë vij tek ju për të paraqitur para jush projektin e Shqipërisë Madhështore. Por theksoj këtu se në rast se ky projekt do kishte një djep, djepi i madhështisë së shqiptarëve është Vlora. Është Vlora e bukurive mahnitëse.
Kur ne paraqitëm apo vendosëm të paraqesim para jush projektin tonë për një Shqipëri Madhështore, pati jo pak nga ata që menduan se këtu ka një ekzagjerim, se këtu ka një mungesë realizimi.Në të vërtetë nuk ka asnjë mungesë realizmi, nuk ka asnjë ekzagjerim sepse ne jo vetëm kemi të tillë historinë, por PD ka të tillë trashëgiminë.
Është partia që përmbysi diktaturën. Është partia që ndërtoi tregun dhe Shqipërinë e lirë. Është partia që anëtarësoi Shqipërinë në NATO. Demokrate e demokratë të Vlorës, është partia që u përpoqën ta shuajnë nga faqja e dheut sepse qëndroi shqiptare, qëndroi partia e idealeve të lirisë, të dinjitetit njerëzor, të dinjitetit shqiptar.Pak muaj më parë menduan se i lanë duart me ne, por ja ku jemi sot të ngritur si Sfinksi në zenit, të pamposhtur, të sigurt në fitore. Që besojmë se Shqipërina do e shpëtojmë nga e keqja që i ka rënë”, tha Berisha.
Berisha akuzoi qeverinë Rama si më e keqja për vendin dhe më antishqiptare. Sakaq Berisha premtoi se me ardhjen në pushtet do të rrisë rrogat, pensionet dhe do të rrisë mbështetjen ndaj qytetarëve.
“Por si kjo e fundit, ndër më të shëmtuarat, ndër më antishqiptaret, kjo e keqe e madhe zbrazi Vlorën e bukurive përrallore, Vlorën e pasurive përrallore, zbrazi Shqipërinë më shumë, më keq se çdo pushtim në histori.
Miqtë e mi, por ne u ngritëm si shqiptarë që besojnë se do bëjmë të pamundurën të mundur. Që besojnë se këtë regjim, këtë të keqe, do e shkulim nga rrënjët. Do e përcjellim në arkivat e historisë.
Me kujdes për ata që ky regjim pothuajse i përjashtoi nga Shqipëria, i varfëroi, i poshtëroi, i topiti dhe i la në mjerim ekstrem.
Marrin pension më pak se sa Gjermania jep për kafshën shtëpiake. U jap ju fjalën se 3 muajt e parë, kjo situatë përmbyset. Shqiptarët në mjerim nuk do ketë më. Çdo shqiptar do marrë 200 euro. Nuk do ketë rrogë minimale nën 500 euro. Nuk do ketë rrogë mesatare nën 1200 euro. Mësuesit e fëmijëve tanë do marrin 1500 euro. Shqipëria, shqiptarët nisin udhën për të dalë në krye të vendeve të rajonit për rrogat, pensionet dhe mbështetjen e tyre”, tha kreu i PD-së.
/rtsh.al/