Berisha reagon në FB për Agimin e Artë: Nuk ka ekzistuar kurrë minoritet grek në Himarë
Kryeministri në largim, Sali Berisha, reagoi përmes rrjetit social, Facebook, për deklaratat antishqiptare të nazistëve të Agimit të Artë në ceremoninë përkujtimore për Aristotel Gumën.
Berisha tha se kjo ishte një vrasje e dytë për Gumën.
Sipas Berishës, kjo ceremoni u politizua deri në nazizëm nga një grup fare i vogël ekstremistësh.
Përpjekjet për të gjetur nëpërmjet nekropolitikës minoritet në Himare janë donkishoteske dhe tragjikomike. Himara në shekuj ka qenë dhe mbetet djep i atdhetarizmit shqiptar me kontribute të mëdha në luftërat e vendit për liri, në letrat, artin dhe kulturën kombëtare.
Në këtë zone, disa nga fshatrat dhe vetë Himara janë bilingualë, por me ADN dhe nëngrupe gjaku identike me fshatrat e tjera që në mijëra vjet nuk kanë folur një fjalë në gjuhën greke apo tjetër përveçse shqipes së bukur. Një ceremoni përkujtimore mortore me politizim ekstrem dëshmon dhe njëherë mjerimin e atyre që duan të gjejnë në të vdekur gjurmët e një minoriteti që nuk ka ekzistuar kurrë në Himarë, shkruan Berisha./ep