E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha shtron iftar, vlerëson rolin e fesë në histori

Kryeministri Berisha, në nderim të Muajit të Shenjtë të Ramazanit shtroi të premten në mbrëmje, një Iftar për besimtarët myslimane, në një prej rezidencave qeveritare.Kjo darkë mblodhi së bashku shumë miq dhe të ftuar si, drejtues dhe përfaqësues të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Kryetari i këtij komuniteti Haxhi Selim Muça, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Baba Edmond Brahimaj, myfti, imamë, intelektualë islamë, drejtues të tjerë të bashkësive fetare në vend si, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit, dhe gjithë Shqipërisë Fortlumturia e tij Anastas Janullatos, Arqipeshkvi Metropolit i Tiranës dhe Durrësit dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Rrok Mirdita, Presidenti i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë Pastor Fitor Muça, përfaqësues të Komunitetit Mysliman të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vend, përfaqësues të pushtetit lokal, si dhe drejtues të shoqatave të ndryshme fetare.
 

I ftuar nga kryeministri Berisha, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Haxhi Selim Muça çeli Iftarin dhe më pas Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij ka vlerësuar rolin e fesë në historinë e vendit tonë:
 

“Së pari dëshiroj dhe njëherë me shumë mirënjohje t`ju falenderoj, që pranuat ftesën të lutemi sëbashku në këtë iftar dhe ta kalojmë sëbashku.Ne jemi sot të mbledhur këtu nga të gjitha trojet shqiptarë, jemi të mbledhur këtu me përfaqësues të besimeve të tjera të mëdha, në dëshminë e shkëlqyer se besimi tek Zoti, përkushtimi ndaj atij, është besimi dhe përkushtimi më suprem i njeriut. Me dëshminë se përkushtimi ndaj Zotit, është frymëzimi i madh për njeriun, për dashurinë, për tolerancën, për mirëkuptimin.

Këtë vit, që kemi edhe vitin e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit është një rast për të shprehur një mirënjohje të thellë ndaj udhëheqësve të kombit të të gjitha besimeve, të cilët dhanë një kontribut historik në pavarësinë e Shqipërisë, në pavarësinë e shqiptarëve, në lirinë e shqiptarëve. Këtë vit këtë 6 mujor, ne kryesojmë institucionin më të vjetër demokratik të Europës të pasluftës, Këshillin e Europës dhe ky është një nder shumë i madh për ne dhe një nga motot e këtij drejtimi që kemi përzgjedhur, është "Të bashkuar në diversitet" dhe këtë moto ne shqiptarët mund ta ilustrojmë bukur me trashëgiminë tonë shpirtërore, me respektin tonë të madh të ndërsjellë për besimin e tjetrit, me tolerancën fetare të shkëlqyer që ne kemi.

Ndaj dhe unë dua të shpreh nderimin tim më të madh për ju dhe përulem me nderim të thellë, ndaj të gjithë atyre, të cilët e shndërruan këtë muaj në muajin e sakrificës fisnike, në muajin e përkushtimit të madh ndaj Zotit dhe vlerave hyjnore që frymëzojnë njeriun” u shpreh Berisha.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›