Berisha takim me kandidatët e PD në Elbasan: Bashkoni çdo fluks opozitar

TIRANË, 14 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një takim me drejtuesin politik të qarkut të Elbasanit Tomor Alizoti si dhe më kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 11 majit në këtë qark.
Gjatë fjalës së tij Berisha iu kërkoi kandidatëve për deputetë që të bashkojnë çdo fluks opozitar.
“Së pari, do bëni gjithçka të bashkoni çdo fluks opozitar. Do i shtrini dorën çdo opozitari. Do të pranoni bashkimin në diversitet. Bashkimi në diversitet është prova e tolerancës, është lakmusi për një demokrat, për një njeri që u qëndron vlerave demokratike”, tha Berisha.
Berisha tha se opozita duhet të përqendrohet tek programi transformues që ka PD.
“Ne kemi një program që vërtet e transformon Shqipërinë. Çdo fjali, çdo fjalë, çdo bisedë, ju do shpalosni programin e PD. Kurrë mos u lodhni me këtë”, tha Berisha.
Kreu i PD u ndal edhe tek hartimi i listave të kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit, duke ftuar deputetët që nuk u bënë pjes e tyre të kontribuojnë.
“Në politikë, udhëtimi nuk është me një finish. Udhëtimi është i gjatë. Sot nuk u zgjodhe, nesër zgjidhesh.
Ata njerëz që na përshëndetën këtu, me qindra prej tyre kanë 30 vite që na ndjekin, që na mbështesin, që sakrifikojnë dhe përsëri nuk janë bërë as deputetë dhe as nuk kanë marrë ndonjë ofiq. Ata u qëndrojnë besnikë idealeve të tyre”, u shpreh Berisha.
Berisha i cilësoi listat e mbyllura si një padrejtësi e diktuar nga Edi Rama në vitin 2021.
“Në mënyrë absurde ky synoi të shfarosë partitë e vogla në radhë të parë, duke mos u lënë asnjë shans tjetër, që ose të bashkohen me partitë e mëdha, si LSI që me 108 mijë vota, mori 4 deputetë. Kurse partitë e mëdha morën 7-8 mijë vota një deputet. Po këto janë antidemokratike.
Ne në rastin e parë që na jepet mundësia, i japim hapësirë lirisë. Partitë e vogla të marra së bashku janë një e treta e elektoratit shqiptar”, përfundoi Berisha. /j.p/