E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha takim me shqiptarët në Romë: Me Italinë marrëdhënie të shkëlqyera! Bashkëpunimi në të ardhmen edhe më i madh

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ditën e sotme ndodhet në Romë. Ai ka zhvilluar një takim me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Itali në kuadër të fushatës elektorale, teksa na ndajnë vetëm 3 muaj nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Berisha tha se dy vendet, Shqipëria dhe Italia kanë lidhje të hershme tradicionale.

Berisha: Arbëreshët në pesë shekuj ekzistencë, falë dashurisë së tyre për dheun mëmë dhe dashamirësisë së vendasve arritën të ruajnë gjuhën, identitetin dhe kulturën e tyre kombëtare. Por jo vetëm kaq, ata i dhanë këtij kombi personalitete të shquara, kryetarë qeverie, guvernatorë, ministra, ambasadorë, poetë, shkrimtarë, artistë, këngëtarë.

Kjo diasporë në Itali do të ishte dhe djepi i rilindjes tonë kombëtare. Pas rënies së Perdes së Hekurt, si ajo pas vdekjes së prijësit tonë të përjetshëm, Skënderbeut, një valë më e madhe emigracioni do të mërgonte në Itali.

Berisha tha se në 34 vitet e fundit, Italia i ka dhënë Shqipërisë një ndihmë të jashtëzakonshme që shkon në miliarda euro. Ai shprehu bindjen se në të ardhmen do të firmosen projekte të mëdha mes Shqipërisë dhe Italisë.

Berisha: Dua të përulem me mirënjohjen më të madhe para këtij kombi mik, para të gjithë italianëve që pritën, punësuan dhe punojnë me shqiptarët.

Një mirënjohje të veçantë kam unë për autoritetet shtetërore të këtij vendi, nga Andreoti tek i pavdekshmi Silvio Berluskoni. Nga Tatarela tek Fini, Butilione e presidenti Tajani e miqtë e mi në Forza Italia. Nuk harroj kurrë takimet e mia me Silvio Berluskonin. Në çdo takim do më thoshte, Sali, me shqiptarët nuk kemi asnjë problem, janë të shkëlqyer.

Me qeverinë italiane kemi firmosur qindra marrëveshje bashkëpunimi në të gjitha fushat, por kemi ndërmarrë edhe sipërmarrje me rëndësi strategjike për Europën siç është gazsjellësi TAP. Projektet e ardhshme do jenë edhe më të mëdha./vizionplus.tv 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›