Berisha vijon akuzat: U përmbytën banesa dhe morali i kalbur i kësaj qeverie

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbledhur grupin parlamentar këtë të enjte, 15 janar, nga ku dhe foli për situatën e shkaktuar në vend nga përmbytjet.
Siç u shpreh Berisha, qytetarët e prekur nuk morën mbështetje nga institucionet përkatëse, duke cilësuar se këto të fundit janë dhe shkaktarë të situatës.
“Shqiptarët e nisën këtë vit në shumë zona të vendit, nga Gjirokastra në Shkodër, por veçanërisht në Durrës dhe qarkun e Durrësit, në një përmbytje të përmasave të papara ndonjëherë. Në një përmbytje me pasoja të rënda. Në një përmbytje në të cilën shteti jo që nuk ishte një mbështetje për qytetarët, por shteti me korrupsionin e tij të çmendur, të papërmbajtur, ishte shkaku i thellë i kësaj përmbytje të paparë ndonjëherë në qarkun e Durrësit, por edhe në disa qarqe të tjera. Në fakt, në ujërat që përmbytën mijëra e mijëra banesa, nga veriu në jugun e vendit, u përmbyt gjithashtu morali i kalbur i kësaj qeverie“, u shpreh ai.Duke përmendur dhe zjarret e sezonit veror, kryedemokrati u shpreh se “satelitet i vërboi korrupsioni”, duke akuzuar kështu për mos marrje të masave të nevojshme për këto fatkeqësi.
“Shqiptarët panë se si këta gobsekë vazhdonin ahengjet, udhëtimet, ndërkohë që ujërat shtoheshin çdo ditë në shtëpitë e tyre. Shqiptarët panë me sytë e tyre shkaqet e vërteta të kësaj drame që pësuan dhe që edhe sot janë në të. Në çdo vend dhe çdo qeveri në botë, ndërtohet një infrastrukturë kundër përmbytjeve. Dhe në ligjin e sigurisë kombëtare, emergjenca ndaj fatkeqësive natyrore ka një përparësi absolute. Pra, Shqipëria u dogj sa asnjëherë tjetër në historinë e saj. Satelitët e Peleshit mbushën xhepat e Edi Ramës. Firmosja e një marrëveshje se na duhen satelitët për të parë vatrën e parë të zjarrit që të shkojmë dhe ta fikim menjëherë, ky mashtrues i paskrupullt, i pamoral, zjarret dogjën njerëz të gjallë, dogjën familje, shtëpi si asnjëherë tjetër, dhe satelitët i verboi korrupsioni“, tha ai.
Duke e rikthyer vëmendjen tek përmbytjet, Berisha u shpreh sërish se hidrovorët nuk ishin në funksionin e tyre të plotë, teksa shtoi akuzat ndaj kreut të qeverisë.
“Më dramatike është situata e përmbytjeve home-made, e bërë nga dora e njeriut. Jo shiu, shiun nuk e ka sjellë njeriu. Por problemi është se në ultësirën e Durrësit, dy hidrovorë të fuqishëm, që e mbrojnë atë, dhe dy kanalet kryesore që e mbrojnë territorin e kësaj ultësire, ishin jashtë funksioni. Hidrovori i Hamallës, patronazhistët i kishin vjedhur tre pompa të fuqishme mijëra e mijëra litra ujë në sekondë. Zhdukur të tria. Vjedhur pompat, vjedhur motorrat. Mirrnin rrogat dhe pafytyrësisht gjer sot asnjë njeri nuk është bërë përgjegjës. Por një njeri që të kujton njerëzit primitivë me qëndrimet e veta, por nuk është primitiv, fajësonte qytetarët se kanë hedhur letra dhe plastika në kanalet. Ndërkohë, nga taksat e tyre janë marrë 40 e ca milionë euro për pastrimin e kanaleve, mirëmbajtjen e tyre dhe mbrojtjen e qytetarëve, por ato kanë përfunduar të gjitha në xhepat e Lubive të qeverisë, e banditëve të qeverisë. Hidrovori i Porto Romanos është postuar në mënyrën më kriminale nga vendi, pika më e ulët që duhej të ishte, e kanë nxjerrë në një terren tjetër ku mbi 1 metër e gjysmë apo dy metra më lart, dhe atij nga 9 porta, gjysma nuk i funksionojnë fare. Kështu dhe hidrovorët e tjerë me radhë. Një shtet që figuron vetëm në drogë dhe në letër. Dhe për të gjitha këto, fajet i paskan qytetarët“, tha ai.