E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha zhvillon takim online me përfaqësuesit e diasporës në Miçigan

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një takim online të hënën me përfaqësuesit e diasporës dhe emigracionit shqiptar në Miçigan. Në fjalën e tij Berisha u shpreh se, emigracioni dhe diaspora e Miçiganit kanë luajtur një rol thelbësor dhe në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Shumë herë e kam pyetur veten, si ka mundësi, pse diaspora shqiptare krahasuar me të tjerat, numerikisht më e vogël, krahasuar me pasuritë e të tjerave, më pak e pasur, por arrin të luajë një rol më të madh në historinë e vendit sesa diaspora e shumë e shumë vendeve të tjera. Se si ajo arrin të paraqitet dhe të dalë në ballë të përpjekjeve të kombit për lirinë dhe dinjitet kombëtar, përgjigjja është vetëm një, është atdhetaria, është shqiptarizmi, është patriotizmi i shqiptarëve në Miçigan dhe SHBA që i bën ata një nga diasporat më të fuqishme në çështjen shqiptare dhe çështjet e kombit të tyre”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se PD do të bëjë një betejë që Shqipërinë të kthehet përsëri në rrugën e shpresës dhe zhvillimit. Në këtë kontekst, iu drejtua ai diasporës dhe emigrantëve në Miçiganit, “sot, ndoshta më shumë se asnjëherë, Shqipëria ka nevojë për mbështetjen tuaj, për ndihmën tuaj, për angazhimin tuaj”.

“Unë kam besim të plotë se kjo ndihmë, kjo mbështetje nuk do mungojë. Jemi përpjekur për vite që diaspora të votojë. Kjo është e drejtë kushtetuese e juaja. Mohimi i votës suaj ishte reminishencë e politikës hoxhiste ndaj diasporës dhe emigracionit. Më në fund u arrit dhe këtë e konsideruam një zhvillim shumë të madh dhe kërkoj ndjesë para jush se u arrit me vonesë”, tha më tej Berisha.

Kreu i PD ftoi emigrantët të marrin pjesë në zgjedhje.

“Ftoj çdonjërin prej jush, të bëjë gjithçka për të siguruar numrin më të madh të mundshëm të pjesëmarrjes tuaj në zgjedhjet e ardhshme”, tha Berisha.

Sipas tij, në Shqipëri është instaluar mobokracia nga Edi Rama për dy arsye: E para, ai ka një trashëgimi të bllokut komunist, me të cilin frika e qytetarëve përbën mjetin kryesor të sundimit; Së dyti, ai kanabizoi Shqipërinë me një politikë zyrtare pothuajse, Edi Rama mbolli nga thellësitë e Alpeve të veriut në kufi me Plavën, gjer në Pogon me mijëra e mijëra plantacione kanabisi, dhe në këtë mënyrë, ai ndërtoi narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.

“Por, kjo për qytetarët është diktaturë e krimit, drogës, e cila vendos në kutitë e votimit, vendos në parlament, vendos në qeveri, vendos në rrugë, vendos në pritë, vendos kudo. Edi Rama hapi apo vendosi vendin tërësisht në sundimin e bandave më të rrezikshme. Unë dua t’u jap shkurtimisht dy-tre të dhëna. Sot në Tiranë keni konstatuar se ndërtohen si kërpudha kulla 30, 40, 50 katëshe. Deri tani, investimi i tyre i kalon 4 miliardë euro. Nga këto, vetëm 800 milionë vijnë nga bankat. Të gjitha janë para droge, para të nëndheshme. Ka 56 mijë apartamente bosh. Çmimet janë më të tretat më të lartat pas Mynihut dhe Parisit. Një njeri për të blerë një apartament, duhet të punojë 104 vite. Shqiptarët kanë ikur, të dashur miq. Kurrë në histori në asnjë pushtim të cilitdo lloji qoftë, nuk ka ndodhur që nga viti 2014 gjer në vitin 2022, të braktisin Shqipërinë 34 përqind e shqiptarëve. Shqipëria po zbrazet me Shqipëri, kombi po shkretohet. Proceset elektorale, zgjedhjet, vdesin para se vota të hyjë në kuti. Një makineri gjigante e blerjes së votës e bën procesin zgjedhor një farsë të vërtetë. Shumë herë kam pyetur veten pse Hantington shkruan se mobokracitë janë forma më e egër? Ai thotë se ato nuk ndjekin asnjë rregull. Por unë konsideroj mjerisht se ata kanë mbështetje jo të vogël ndërkombëtare. Kanë mbështetje që e tejkalon imagjinatën tonë. Ajo që keni dëgjuar me McGonigalin, ajo u garantoj ju se është maja e ajsbergut e fuqisë korruptive të narkoshtetit shqiptar. Në këtë kontekst, Shqipëria kaloi këto vite, 3-4 vite, t’u them haptas, një grusht shteti, sepse grushtet e shtetit për një vend nuk janë vetëm përmbytjet e qeverisë. Jo, grushtet e shtetit ndodhin edhe kur synohet të përmbytet opozita. Në diktatura nuk ka sovranitet të brendshëm. Pa opozitë, nuk ka sovranitet të brendshëm dhe ajo që ndodhi me lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe Xhorxh Soros, kishte vetëm një qëllim, shndërrimin e opozitës shqiptare në një fasadë të Edi Ramës. Por ne ia dolëm. Me sakrifica, me përpjekje dhe ne jemi shqiptarë, ua them unë këtu një gjë ju, kur Sekretari i Shtetit më shpalli non-grata tetë vite pasi isha larguar nga çdo funksion, por vetëm mbroja interesin kombëtar të Kosovës, mbroja interesin publik në Shqipëri si detyrim madhor që ndjeja, unë pothuajse isha në prag të largimit tim nga politika. Por vendimi i lobuar nga Xhorxh Soros dhe Edi Rama, pa asnjë fakt, pa asnjë bazë, kishte vetëm një synim, asgjësimin e opozitarizmit të vërtetë në Shqipëri. Natyrisht ishte vendim i gabuar. I gabuar sepse ne jemi shqiptarë, ne kemi një shprehje: Zoti më ruajtë nga miqtë, se nga armiqtë ruhem vetë. U detyruam të gjithë si demokratë të bëjmë përpjekje të mëdha për të pasur opozitë Shqipëria. Dhe sot Shqipëria ka opozitë, në kushtet më të vështira. Pasi u gjetëm para të papriturës, menduan se e arkivuan Sali Berishën dhe e damkosën me turp, ai u rikthye falë mbështetjes së shqiptarëve. Dhe ky ishte një dështim i madh në atë përpjekje që u bë. Pas kësaj, hapën dosje dhe kujtuan se do blinin heshtjen time, po heshtja ime nuk mund të blihet. Siç e dini, katër vite hetimi, në fund përfunduan tek pagesat që vajza ime ka bërë për mua, pagesa familjare apo bamirësitë e tyre ndaj fëmijëve autikë. U ndala në këtë histori për të treguar se si u ndihmua instalimi i mobokracisë në Shqipëri. Mirëpo, në çdo rrethanë, njeriu kurrë në qoftë se beson një kauzë të drejtë, nuk duhet ët dorëzohet. Dhe ne u garantoj ju, nuk dorëzohemi, por ne do bëjmë një betejë me të gjithë forcën tonë që Shqipërinë ta kthejmë përsëri në rrugën e Zotit, në rrugën e shpresës, në rrugën e zhvillimit. Në këtë kontekst, sot, ndoshta më shumë se asnjëherë, Shqipëria ka nevojë për mbështetjen tuaj, për ndihmën tuaj, për angazhimin tuaj. Kjo është diktaturë jo e lehtë. Unë u dhashë vetëm një shembull, por mund t’u jap shumë të tjera. Dhe unë kam besim të plotë se kjo ndihmë, kjo mbështetje nuk do mungojë. Jemi përpjekur për vite që diaspora të votojë. Kjo është e drejtë kushtetuese e juaja. Mohimi i votës suaj ishte reminishencë e politikës hoxhiste ndaj diasporës dhe emigracionit. Më në fund u arrit dhe këtë e konsideruam një zhvillim shumë të madh dhe kërkoj ndjesë para jush se u arrit me vonesë. Por, kjo arritje, të dashur miq, është një potencial shumë i madh i juaji për të kontribuar në shpëtimin e vendit nga kjo diktaturë me votën tuaj. Ndaj dhe ftoj çdonjërin prej jush, të bëjë gjithçka për të siguruar numrin më të madh të mundshëm të pjesëmarrjes tuaj në zgjedhjet e ardhshme. Si një votë për shpëtimin e Shqipërisë, e cila në fakt po rrokulliset, po zbrazet si asnjëherë tjetër në historinë e saj.”, tha Berisha. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›