Berisha:Toleranca fetare, buron tek besimi i palëkundur te Zoti

Toleranca fetare, buron tek besimi i palëkundur te Zoti.Kështu është shprehur kryeministri Berisha, gjatë fjalës së tij në ceremoninë e organizuar nga Komuniteti Mysliman me rastin e ditëlindjes së profetit Muhamed.
“Ky është një nga mesazhet më të mëdha njerezorë dhe hyjnore që kombi shqiptar, i përcjell mbarë njerëzimit.Në shqipëri, myslimanë, katolikë dhe ortodoksë, janë të gjithë tolerantë. Fondamentalizmi i vetëm që ky vend ka njohur, ka qenë vetëm ai i regjimit totalitar.Ky variant i fundamentalizmit, ekzistoi tek ne, në mënyrën e vet më të egër, pasi ai donte që t`ua merrte shqiptarëve rrugën e Zotit, që t`ua zëvendësonte me rrugën e tij”, tha ndër të tjera Berisha.
Më tej ai shtoi se Zoti ka caktuar tashmë për shqiptarët, rrugën që nuk mund ta ndalë askush.
“Sot ne kremtojmë ditën e lindjes së profetit të dritës, një nga mësimet e të cilit ishte drita dhe arsimi, gëzuar këtë ditë”, iu drejtua publikisht kreu i qeverisë të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë.