E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bërthamorët, Fuqitë e mëdha të shqetësuara për planet e Iranit

Fuqitë botërore shprehën shqetësimin e tyre kohët e fundit rreth qëllimeve bërthamore të Iranit mbasi ky vend shpalli planet e tij për të trefishuar prodhimin e uraniumit të cilësisë së lartë. Në materialin në vazhdim, analistë të ndryshëm flasin për ngërçin e krijuar mes Iranit dhe një numër fuqish botërore dhe mënyrën se si mund të gjendet një zgjidhje për këtë rast.

Ambiciet bërthamore të Iranit po shkaktojnë një shqetësim të madh tek një pjesë e fuqive botërore, thuhet në një njoftim të publikuar kohët e fundit prej tyre.

Gjatë një takimi në Vjenë të mbajtur nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia, Britania, Franca dhe Gjermania thanë në një deklaratë të përbashkët se Irani duhet të japë më shumë informacione rreth synimeve të tij bërthamore.

Kjo deklaratë pasoi njoftimin e Iranit për të trefishuar prodhimin e uraniumit të pasuruar në nivelin 20%. Fuqitë Botërore janë të mendimit se Irani po zhvillon një program për armët bërthamore.

Në deklaratën e tij të datës 8 qershor, Irani tha se prodhimi i uraniumit të cilësisë së lartë do të kryhet në Fordo, një fabrikë rreth 150 km larg Teheranit.

Ekzistenca e Fordo-s, u mbajt sekret për një kohë të gjatë deri sa u identifikua nga shërbimet sekrete perëndimore në shtator të vitit 2009.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›