E Diel, 1 Nëntor 2026

Beteja e Torviollit, fitorja e parë e ushtrisë së bashkuar arbërore

TIRANË, 29 qershor/ATSH/ Më 29 qershor të vitit 1444 fusha e Torviollit u shndërrua në një arenë luftimesh për betejën e Dibrës së Poshtme.

Pas formimit të Besëlidhjes së Lezhës, bashkimit të parë politik në shkallë mbarëkombëtare, mbajtur më 2 mars 1444, nën kryesinë e Skënderbeut, sulltani Murati II, dërgoi një forcë prej 25 mijë trupash të drejtuara nga komandanti i tij më i sprovuar, Ali Pasha.

Përballë forcave të shumta osmane të udhëhequra nga Ali Pasha, Skënderbeu tregoi gjenialitetin e tij ushtarak përmes një strategjie moderne për kohën. Duke kombinuar me mjeshtëri këmbësorinë dhe kalorësinë, ai përdori terrenin dhe befasinë si armët e tij kryesore. Ndërsa trupat e Gjon Muzakës dhe Hamza Kastriotit goditën nga prapavija, ndërhyrja e Vrana Kontit siguroi goditjen përfundimtare. Brenda pak orësh, ushtria arbërore korri fitore bindëse që tronditi opinionin e kohës. Rezultati ishte shkatërrues për osmanët të cilët humbën rreth 22 mijë ushtarë.

Ky triumf shënoi një kthesë të rëndësishme dhe dëshmoi fuqinë e bashkimit, duke sfiduar një kundërshtar numerikisht në epërsi, me 15 mijë trupa, 8 mijë kalorës dhe 7 mijë këmbësorë. Fitorja në Torvioll forcoi dëshirën e popullit për liri dhe vulosi autoritetin e Skënderbeut, duke hapur rrugën e një qëndrese që frymëzoi Evropën për dekada.

/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›