Betlehemi pezullon Krishtlindjen, dyert e vizitave për mijëra pelegrinë mbyllen për shkak të luftës

Krishtlindja do të festohet ndryshe në Lindjen e Mesme këtë vit ndërsa konflikti i përgjakshëm Izrael-Hamas vazhdon.
Vendi i lindjes së Jezusit, Betlehemi, që zakonisht është qëndra botërore e festimeve , ka fikur dritat dhe ka mbyllur dyert për mijëra pelegrinë dhe turistë që do ta vizitonin si zakonisht.
Të gjitha festimet e përvitshme janë anuluar.
Në vend të dekoreve tradicionale të festave, kisha e lindjes së Krishtit ka krijuar një skenë të thjeshtë ku Jezusi vjen përmes një pirgu rrënojash, që simbolizon ato të Gazës.
Një instalacion i ngjashëm, i quajtur “Lindja e Krishtit nën rrënoja” është vendosur edhe në sheshin Manger në qëndër të qytetit ku zakonisht qëndron një pemë Krishtlindjeje.
Shitësit dhe banorët e zonës po e përshkruajnë situatën si krishtlindjen më të keqe që ka përjetuar vendi.
Betlehemi është vetëm disa milje në jug të Jeruzalemit në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Qyteti ka 12 milje mure të larta dhe rrethime, ka pika kontrolli izraelite për të hyrë dhe dalë nga qyteti, ku palestinezët kalojnë vetëm nën masa të larta sigurie.
Që prej nisjes së konfliktit në tetor shumë nga ato pika kontrolli janë mbyllur, ose hapen vetëm disa orë në ditë./vizionplus.tv