Beyonce anulon koncertin
Beyonce është detyruar të anulojë një koncert në Belgjikë për shkak të dehidratimit dhe lodhjes.
Lajmin e ka bërë të ditur një anëtar i stafit të këngëtares, që ishte parashikuar të performonte në Antverp në kuadër të turit “Mrs Carter”.
Si këngëtarja ashtu edhe organizatorët e koncertit deklaruan se shfaqja do të programohet për një datë tjetër.
“Beyonce është këshilluar nga doktori që të pushojë si pasojë e dehidratimit dhe lodhjes”, thuhet në një njoftim për shtyp.
Beyonce ishte planifikuar që të dilte në skenë të Mërkurën, por stafi i saj tha se ajo po priste këshillën e mjekut para se të vazhdonte.
Së fundmi, në mediat rozë kanë qarkulluar spekulime se 31-vjeçarja mund të jetë shtatzënë me fëmijën e saj të dytë, por vetë e interesuara nuk ka bërë asnjë koment mbi këto zëra.
Turi botëror i këngëtares, “Mrs Carter”, shënon kthimin e saj në botën e muzikës pas një viti pushim pas lindjes së vajzës së saj të parë, Blue Ivy.