Bie Scholz, Gjermania në zgjedhje. Kancelari dështon në marrë shumicën në Budestag, pas krizës në koalicionin qeverisës

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, humbi votëbesimin në Bundestag këtë të hënë, duke i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme në shkurt të vitit të ardhshëm.
Scholz fitoi besimin e 207 ligjvënësve në parlament, por 394 të tjerë votuan kundër tij, ndërsa 116 abstenuan.
Scholz ka udhëhequr një qeveri pakice muajin e fundit, pasi koalicioni trepartiak u shpërbë më 6 nëntor për shkak të mosmarrëveshjeve mes partive lidhur me buxhetin dhe financat e Gjermanisë.
Tani i takon presidentit Frank-Walter Steinmeier të vendosë për shpërbërjen ose jo të Bundestagut dhe për thirrjen e zgjedhjeve të reja.
Steinmeier ka 21 ditë kohë për të marrë një vendim dhe, sapo të shpërbëhet Parlamenti, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 60 ditëve.
Ndërkohë, fushata në vend ka nisur. Social Demokratët e Scholz qëndrojnë pas CDU-së, sipas sondazheve. E djathta ekstreme gjithashtu është forcuar në vitin e fundit; megjithatë, duket e vështirë që ajo të jetë e gatshme për të formuar e vetme qeverinë. /vizionplus.tv