E Enjte, 5 Nëntor 2026

Bie regjimi i hekurt i Assad/ Rebelët marrin Damaskun, mediat e huaja: Presidenti është vrarë

Regjimi i Bashar al Assad në Siri ka marrë fund pas më shumë se 25 vjetësh. Rebelët sirianë deklaruan rrëzimin e presidentit dhe pasi morën kontrollin e Damaskut ata hynë në pallatin presidencial, ku hoqën portretet e Assad.

Në një fjalim në një xhami në kryeqytetin sirian, lideri i rebelëve Abu Mohamad al Golani tha se kjo fitore do të shënojë një kapitull të ri në historinë e rajonit.

Ai përmendi pasojat e luftës për shumë familje dhe tha se Siria po rimëkëmbet.

E teksa rebelët hynë në Damask, presidenti Assad u nis me avion për një destinacion të panjohur sipas Reuters.

Avioni fillimisht fluturoi drejt rajonit bregdetar të Sirisë por më pas bëri një kthesë të papritur dhe fluturoi në drejtim të kundërt për disa minuta përpara se të zhdukej nga harta.

Dy burime siriane thanë se ekzistonte një probabilitet shumë i lartë që Assad mund të ishte vrarë në një përplasje avioni pasi ishte një mister pse avioni mori një kthesë të papritur dhe u zhduk nga radarët. Edhe presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump, tha se Assad është larguar nga Siria, pasi humbi mbështetjen e Rusisë.

Ndërsa sirianët shprehën gëzimin, kryeministri sirian Mohammad Ghazi al-Jalali tha se vendi duhet të ketë zgjedhje të lira.

Jalali tha gjithashtu se ai kishte qenë në kontakt me komandantin rebel Abu Mohammed al-Golani për të diskutuar mbi menaxhimin e periudhës së tranzicionit.

Rrëzimi i Assad shënon një pikë kthese për Sirinë, të shkatërruar nga shumë vite luftë, e cila i ka kthyer qytetet në gërmadha, ka vrarë qindra mijëra njerëz dhe ka detyruar miliona të largohen si refugjatë.

Tashmë qeveritë perëndimore, të cilat kanë shmangur prej vitesh shtetin e udhëhequr nga Asad, duhet të vendosin se si të merren me një administratë të re në të cilën një grup terrorist i përcaktuar globalisht – Hayat Tahrir al-Sham, duket se do të ketë ndikim.

Presidenti amerikan Joe Biden po e monitoron situatën në Siri dhe është në kontakt të vazhdueshëm me partnerët rajonalë.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen e quajti një lajm të mirë rënien e Assad dhe tha se Evropa është e gatshme të mbështesë ruajtjen e unitetit kombëtar dhe rindërtimin e një shteti sirian që mbron të gjitha pakicat.

Rënien e Assad e konfirmoi edhe Russia, një aleate e vjetër e Assad, që tha se regjimi i tij ka rënë dhe presidenti është larguar jashtë vendit.

Ndërkohë Kombet e Bashkuara thanë se ka shumë plagë që duhen shëruar, derisa Siria të rivendosë sovranitetin e saj.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ishte më e prerë në reagimin e saj: Fundi i Asadit përfaqëson për miliona njerëz në Siri një lehtësim të madh!

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›