“Biseda Kusari-Radoiçiç, montazh”, Kurti reagon për komunikimet e deputetes me të akuzuarin për sulmin terrorist në Banjskë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti reagoi pas publikimit të bisedës telefonike mes kryetares së grupit parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari Lila dhe ish-nënkryetarit të Listës serbe Milan Radoiçiç.
Ndonëse pranoi se nuk e kishte dëgjuar regjistrimin, Kurti u shpreh i bindur se bëhet fjalë për një montazh të qëllimshëm.
“Unë vet nuk i kam dëgjuar, por qytetarët e dinë se kush ka bashkëpunuar me Radojiçiçin dhe e kanë të qartë pse Milan Radoiçiçi ikë tash dhe dikur ishte në kryeministri. Për këtë gjë zëdhënësi i LVV-së e ka dhënë një përgjigje të saktë dhe të qartë… Ajo është një situatë e montuar dhe Milan Radoiçiç këtë muaj i bënë nëntë muaj që lëvizë i lirë në Serbi dhe trysnia duhet të ishte që në Kosovë të ketë aktakuzë dhe të arrestohet”, deklaroi Kurti.
I pyetur nëse do të ketë masa ndëshkuese ndaj Mimoza-Kusarit, Kurti u përgjigj se ajo nuk është anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Po e kuptoj se po përpiqeni të dramatizoni me çdo kusht disa sekonda të një bisede që nuk e di si është marrë dhe ku është marrë, si u pre dhe nga kush është organizuar. Unë jam kryetar i LVV-së dhe Mimoza Kusari nuk është anëtare e LVV-së. Edhe po të ishte anëtare e LVV-së për këso gjërash ka komisione dhe LVV-ja nuk e ka kryetarin diktator që merr vendime”, shtoi kryeministri.
Biseda telefonike e publikuar ditët e fundit është në vijim të një tjetër regjistrimi audio të nxjerrë një vit më parë dhe sipas mediave në Kosovë është zhvilluar në qershor të vitit 2022 kur Radoiçiç ishte futur në listën e zezë të SHBA.
Mimoza Kusari Lila është aktualisht deputete dhe kryetare e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, por anëtare në partinë e saj ‘Alternativa’.
Milan Radoiçiç mori përgjegjësinë kryesore për sulmet e 24 shtatorit në veri të Kosovës ku mbeti i vrarë oficeri Afrim Bunjaku dhe tre sulmues serbë./vizionplus.tv