E Hënë, 2 Nëntor 2026

Biseda me Trump, Zelensky: Ramë dakord për forcimin e mbrojtjes ajrore nga sulmet ruse

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi sot se ai dhe Presidenti i SHBA-së Donald Trump ranë dakord të forconin mbrojtjen ajrore të Ukrainës.

Marrëveshja vjen mes shqetësimeve në rritje të Kievit pasi Uashingtoni tha se po ndalonte disa prej dërgesave të armëve kritike, duke ngritur frikën në lidhje me aftësinë e Ukrainës për të mbrojtur qiellin e saj mes sulmeve të vazhdueshme ruse.

“Sot diskutuam situatën aktuale, duke përfshirë sulmet ajrore ruse dhe zhvillimet më të gjera në vijën e frontit. Presidenti Trump është shumë i informuar dhe e falënderoj për vëmendjen e tij ndaj Ukrainës. Folëm për mundësitë në mbrojtjen ajrore dhe ramë dakord se do të punojmë së bashku për të forcuar mbrojtjen e qiellit tonë. Gjithashtu kemi rënë dakord për një takim midis ekipeve tona”, shkruan Zelensky në mediat sociale pasi foli në telefon me Trump.

Ai vuri në dukje se me presidentin Trump zhvilloi një bisedë të detajuar dhe se të dyja vendet janë të gatshme për projekte që kanë të bëjnë me sigurinë dhe veccanërisht për dronët dhe tekonologjinë në fushën e mbrojtjes kundrejt sulmeve ruse.

“Patëm një bisedë të detajuar rreth aftësive të industrisë së mbrojtjes dhe prodhimit të përbashkët. Jemi gati për projekte të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara dhe besojmë se kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për sigurinë, veçanërisht kur bëhet fjalë për dronët dhe teknologjitë përkatëse. Gjithashtu u ndalëm te prokurimi dhe investimet e ndërsjella. Së fundmi, shkëmbyem pikëpamje mbi situatën diplomatike dhe punën e përbashkët me SHBA-në dhe partnerë të tjerë”, shkruan më tej Zelensky.

Një ditë më parë, presidenti amerikan konfirmoi se diskutoi luftën e Rusisë kundër Ukrainës me udhëheqësin rus Vladimir Putin, duke vënë në dukje se nuk ishte arritur asnjë përparim.

Donald Trump u tha gazetarëve në Bazën Ajrore Andrews përpara se të fluturonte për në Iowa, se ata patën një bisedë telefonike, e cila ishte mjaft e gjatë, gjatë së cilës diskutuan shumë tema, përfshirë Iranin dhe gjithashtu, siç vuri në dukje ai, luftën midis Rusisë dhe Ukrainës.

Kur u pyet nga gazetarët nëse ishte bërë ndonjë përparim në bisedë, presidenti amerikan tha: “Jo, nuk kam bërë asnjë përparim me të sot.” Sa i përket pezullimit të furnizimeve me armë për Ukrainën, ai tha se Shtetet e Bashkuara po e ofronin këtë mbështetje, por duhej të siguroheshin që kishte armë të mjaftueshme për veten e tyre.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›