E Diel, 1 Nëntor 2026

Bisedimet SHBA–Iran në udhëkryq, zv.presidenti Vance udhëton sot drejt Pakistanit

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance pritet të udhëtojë sot drejt Islamabadit, në krye të një delegacioni diplomatik të SHBA-së, nëse Irani jep dritën jeshile për vazhdimin e bisedimeve në kryeqytetin pakistanez. Lëvizja vjen ndërsa afati i armëpushimit aktual po afrohet drejt fundit.

Vance do të shoqërohet nga i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump. Megjithatë, nga Teherani vijnë sinjale të përziera. Presidenti iranian Masoud Pezeshkian paralajmëroi për një “mosbesim të thellë historik” ndaj SHBA-së, duke theksuar se deklaratat kontradiktore nga zyrtarët amerikanë perceptohen si përpjekje për të detyruar dorëzimin e Iranit.

“Iranianët nuk i nënshtrohen forcës”, u shpreh ai, ndërsa shtoi se vendi i tij është i shqetësuar për sinjalet “jokonstruktive” nga Uashingtoni.

Pavarësisht retorikës së ashpër, një zyrtar i lartë iranian i tha Reuters se Teherani po e “shqyrton pozitivisht” pjesëmarrjen në bisedime. Nëse ato zhvillohen, delegacioni iranian pritet të udhëhiqet nga kryetari i parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf.

Ghalibaf theksoi se Irani nuk do të negociojë nën kërcënim dhe paralajmëroi se vendi është “i përgatitur të zbulojë karta të reja në fushën e betejës”. Ai gjithashtu akuzoi Trumpin për përpjekje për ta kthyer tryezën e negociatave në një “tryezë dorëzimi”.

Ndërkohë, Teherani ka kërkuar heqjen e bllokadës amerikane në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Trump përsëriti qëndrimin se Iranit nuk duhet t’i lejohet kurrë të zhvillojë armë bërthamore, duke lënë të hapur edhe mundësinë e një takimi të drejtpërdrejtë me liderët iranianë.

Fillimisht, Trump deklaroi se delegacioni amerikan ishte nisur menjëherë, por zyrtarët e korrigjuan këtë informacion, duke sqaruar se udhëtimi pritet të ndodhë mëngjesin e së martës, në varësi të zhvillimit të bisedimeve.

Një raund i ri negociatash mund të mbahet të mërkurën, ndërsa rreziku i rifillimit të luftimeve mbetet i lartë. Trump ka bërë të ditur se armëpushimi dyjavor do të përfundojë të mërkurën në mbrëmje sipas kohës së Uashingtonit, duke e zgjatur atë vetëm 24 orë për të mundësuar zhvillimin e takimit në Islamabad.

Në një intervistë, ai u shpreh se është “shumë e pamundur” që armëpushimi të zgjatet më tej, duke lënë të kuptohet se bombardimet mund të rifillojnë, edhe pse shtoi se nuk do të nxitojë drejt një marrëveshjeje të keqe.

Bisedimet e mëparshme, që zgjatën 21 orë në fillim të muajit, dështuan pasi Irani refuzoi kërkesat e SHBA-së për ndalimin e pasurimit bërthamor dhe dorëzimin e uraniumit të pasuruar. Teherani ka kërkuar garanci se nuk do të sulmohet sërish, ndërsa thekson se, pavarësisht bombardimeve intensive, nuk e konsideron veten të mundur.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›