Bizneset e Ballkanit takohen në Shqipëri

Rreth 80 kompani nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Italinë dhe Spanjën, do të jenë mysafirë, për dy ditë, në Shqipëri në takimet dypalëshe me bizneset shqiptare.
Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, së bashku me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Serbisë, Forumin e Investimeve të Dhomave të Ballkanit Perëndimor 6 (WB6 CIF) dhe Enterprise Europe Netëork po organizojnë një event që do të zhvillohet në datat 2 dhe 3 dhjetor 2021 në partneritet me Panairin Ndërkombëtar të Tiranës 2021.
Sipas organizatorëve, kjo ngjarje do t’u japë pjesëmarrësve një mundësi unike për të realizuar kontakte të reja biznesi dhe kontrata të mundshme, për të hyrë në kontakt, si me blerësit ashtu edhe me furnitorët, si dhe të sigurojnë takime Biznes&Biznes (B2B) me partnerë të rinj biznesi, jo vetëm nga Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe nga vende të tjera evropiane.
Sektorët në fokus të këtyre takimeve janë, bujqësia, industria ushqimore,
industria e metaleve, makinerive dhe automobilave, industria e ndërtimit, IK, shërbimet bankare, turizmi, etj
Në këtë Panair, nga Shqipëria kanë shfaqur interes 22 kompani, ndërsa numri më i lartë i kompanive pjesëmarrësve vjen nga Serbia me 32 të tilla në fushat që përmendëm. Edhe Spanja dhe Italia kanë rregjistruar kompanitë e tyre në këto takime dypalëshe të bizneseve.
Panairi Ndërkombëtar i Tiranës është panairi më i rëndësishëm në Shqipëri dhe një nga eventet më të rëndësishme të këtij lloji në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai mbledh ekspozues nga më shumë se 20 vende me një mesatare prej 20,000 të ftuarve për edicion.
Panairi Ndërkombëtar i Tiranës ruan standardet vjetore, duke u bërë barometri i marrëdhënieve ekonomike dhe sociale në rajon, përtej marrëveshjeve, pakteve dhe memorandumeve në letër.
Ky Panair është ngjarja e vetme ndërkombëtare e organizuar në Shqipëri, i njohur edhe nga Organizata Globale e Panaireve dhe Ekspozitave.
Panairi Ndërkombëtar i Tiranës, tashmë është shndërruar në simbolin identifikues të biznesit shqiptar në botë, por njëkohësisht dhe një urë lidhëse mes bizneseve shqiptare dhe atyre të huaja.
Misioni primar ka qenë prezantimi i një Shqipërie me pasuri të mëdha natyrore, turistike, bujqësore, e shumë fusha të tjera, të cilat presin shfrytëzimin e tyre nga bizneset më të mëdha ndërkombëtare