Biznesi: Amnisti fiskale ose morëm fund!
Dhoma e Tregtisë, Tiranë, shkresë Kryeministrit dhe Bodes. Pikat e draftit për faljet 2011-2012
ARD KOLA
Në dhjetor të vitit 2011, u mbyll zyrtarisht e para amnisti fiskale e ndërmarrë në përmasa konkrete, por rezultati ishte tejet zhgënjyes. Vetëm 15 për qind e kapitaleve dhe e detyrimeve u çliruan dhe sikur të mos mjaftonte kjo, pas përfundimit të amnistisë, biznesi u ndëshkua me gjoba nga Tatimet, në vlera disa milionë euro.
Nisur nga kushtet e rënda të krizës, bizneset e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, përmes kryetarit Nikolin Jaka i kanë dërguar një shkresë, në formë drafti Kryeministrit dhe ministrit të Financave për ndërmarrjen e një tjetër amnistie fiskale, natyrisht me të tjera elemente në raport me të parën.
Jaka thotë se gjendja aktuale është tejet kritike, me gjoba pafund, me para që dalin jashtë vendit, me taksa të papaguara, borxhe të akumuluara dhe se amnistia fiskale shikohet si i vetmi shpëtim, në të kundërt klima mund të degradohet përtej imagjinatës.
Duke e vlerësuar si jo efikas në pritshmëritë e kërkuara aplikimin e ligjit 10418 të datës 21 prill 2011, për Legalizimin e kapitalit, dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor e doganor, dhe për të ndalur vendosjen e gjobave dhe arbitraritetin e sistemit fiskal dhe tatimor, Dhoma e Tregtisë, si dhe shoqatat e biznesit, u kërkojnë formacioneve politike parlamentare mazhoritare dhe opozitare, miratimin dhe zbatimin me procedura të përshpejtuara të dy ndërhyrjeve ligjore.
E para lidhet me detyrimet e papaguara, të cilat kanë arritur mbi 200 milionë euro, që shteti u ka bizneseve private. Rreth 660 biznese në sektorin e shërbimeve kanë afro 8 muaj pa u paguar për funksionet e kryera kundrejt kontratës me qeverinë. Për këtë arsye, Dhoma e Tiranës kërkon mundësinë e kompensimit ose pezullimin e afateve të pagesave për detyrimet tatimore si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe Tatim Fitimi në favor të të gjitha kompanive private, kur shuma e detyrimit që sistemi i buxhetit të shteti u ka këtyre kompanive, është më e madhe se shuma e detyrimeve tatimore që kompanitë kanë për të shlyer.
Sipas Jakës, amnistia e parë nuk i dha mundësi biznesit të shfrytëzonte mundësinë, për shkak se ligji nuk ofronte garanci. I gjithë diskutimi lidhet me garancinë, i cili në ligjin e mëparshëm të amnistisë, i jepte të drejtë tatimorit të verifikonte bilancet e bizneseve, nëse i ka deklaruar të rregullta apo jo. Pikërisht ky nen konsiderohet hakmarrës për bizneset, të cilat deklaruan mëkatet, por në këmbim u ndëshkuan.
Amnistia fiskale e re duhet të aplikohet për vitet 2011-2012, me disa ndryshime në ligj.
Në nenin 11 të projektit (ose të ligjit, i cili e mbylli funksionin në fund të 2011-s, për bizneset, kurse për pasuritë e paluajtshme, vijoi deri në gusht 2012), Dhoma e Tiranës propozon që tarifat për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme për personat juridikë të jenë jo më shumë së 3% të diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar për pasuritë e paluajtshme, kurse tarifat për rivlerësimin e pajisjeve dhe makinerive për personat juridikë jo më shumë se 5% të diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar për pasuritë e paluajtshme. Për këtë nen, biznesi shton pikën c, sipas të cilit tarifa për vlerësimin e emrit dhe markës së kompanive në treg është jo më shumë se 2% e vlerës së plotë të emrit apo markës.
Në të gjitha rastet për subjektet që përfitojnë nga ky ligj, organet e specializuara të hetimit nuk mund të fillojnë ndjekjen penale, duke u bazuar nga deklarimet vullnetare sipas këtij ligji, është një tjetër kërkesë e biznesit.
Gjithashtu, tatimpaguesit të cilët për periudhat tatimore deri më 31.12.2010 kanë deklaruar shumën e detyrimit tatimor më të vogël se detyrimin real, kanë të drejtë që brenda periudhës së këtij ligji të vetëdeklarojnë detyrimet tatimore pranë zyrës së tatimeve, deklarime këto që duhet të verifikohen dhe legjitimohen nga zyra e tatimeve nëpërmjet kontrollit. Tarifa që aplikohet në këto raste do të jetë 30% e detyrimit, duke falur pjesën tjetër të detyrimit, gjobat dhe kamatëvonesat, thotë drafti në njërin variant.
Varianti II
Neni 22
Tatimpaguesit, të cilët për periudhat tatimore deri më 31.12.2010 kanë deklaruar shumën e detyrimit tatimor më të vogël se detyrimin real, kanë të drejtë që brenda periudhës së këtij ligji të paguajnë sipas qarkullimit të tyre tregtar tarifën e përcaktuar si më poshtë:
a) Për sipërmarrësit që, sipas qarkullimit tregtar, arrijnë deri në 200 milionë lekë xhiro vjetore, të operohet me një tarifë fikse pagese me një shumë prej 1 milion lekësh.
b) Për sipërmarrësit që, sipas qarkullimit të tyre tregtar, arrijnë nga 200 deri në 500 milionë lekë xhiro vjetore, të operohet me një tarifë fikse pagese me një shumë prej 2 milionë lekësh.
c) Për sipërmarrësit që, sipas qarkullimit të tyre tregtar arrijnë nga 500 milionë deri në 1 miliard lekë xhiro vjetore, të operohet me një tarifë fikse pagese me një shumë prej 3 milionë lekësh.
d) Për sipërmarrësit që, sipas qarkullimit të tyre tregtar arrijnë nga 1 deri në 10 miliardë lekë xhiro vjetore, të operohet me një tarifë fikse pagese me një shumë prej 5 milionë lekësh.
e) Për sipërmarrësit që, sipas qarkullimit të tyre tregtar arrijnë mbi 10 miliardë lekë xhiro vjetore, të operohet me një tarifë fikse pagese me një shumë prej 10 milionë lekësh.
Biznesi: Amnisti fiskale ose morëm fund! burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email