E Hënë, 2 Nëntor 2026

Biznesi grek kërkon të investojë, Shqipëria konsiderohet me potenciale ende të pashfrytëzuara në tregti

Momenti që po kalon sot Shqipëria dhe rruga që po përshkon drejt Bashkimit Evropian po ngjall interes të sipërmarrësve grekë për të investuar në vendin tonë.

Shqipëria, sipas zv.ministrit të Jashtëm grek, ka ende sektorë të ekonomisë të pashfrytëzuar, që ofrojnë mundësinë për të zhvilluar më tej partneritetin mes dy vendeve.

“Qëllimi i përbashkët është të ndërtojnë ura komunikimi. Ka përfaqësues të rëndësishëm të biznesit grek që janë prezentë në Shqipëri. Ne kemi vënë re një përmirësim të marrëdhënieve tregtare, por duhet të forcojmë më tej marrëdhëniet tona. Duhet të bashkëpunojmë më shumë në sektorin energjetik, në ndërtim, minerale. Në sektorin e energjisë në këtë mjedis të pasigurt gjeopolitik kërkohet forcim i bashkëpunimit për të pasur siguri. Duhet të kalojmë në një sistem energjetik të qëndrueshëm. Ne kemi shumë burime për gaz natyror, për energjinë e gjelbër dhe mund të bashkëpunojmë që edhe vendi juaj të kalojë në energji të gjelbër”, tha ministri i Jashtëm grek, Konstantinos Fragkogiannis.

Për Shqipërinë, Greqia shërben si shembull që duhet ndjekur për të përmbushur objektivin e saj të anëtarësimit në BE.

“Me Greqinë na lidh një histori shumë e gjatë marrëdhëniesh. Greqia është një shkollë shumë e mirë për ne, sidomos në momentin që jemi në prag të çeljes së negociatave. Brenda vitit 2027 duhet të mbyllim të gjithë grupkapitujt dhe në 2028 të jemi gati për të përmbyllur të gjithë punën tonë për anëtarësimin në BE. Greqia do të ishte udhërrëfyes për ne. Greqia është një shembull i mirë”, tha ministri Blendi Gonxhja.

Gjatë forumit të biznesit Shqipëri-Greqi theksi u vendos edhe te krijimi i një tregu të përbashkët turistik dhe te partneriteti në fushën e start-up-eve. /vizionplus.tv

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›