E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi në krizë ekonomike, 64 miliardë lekë borxh shtetit

Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport të fundit të tij vëren se qindra biznese në Shqipëri nuk kanë paguar taksat ndaj shtetit, duke e rritur borxhin në miliona lekë.
Raporti
Në raport argumentohet se kriza që po kalojnë bizneset po reflektohet me mospagim të taksave dhe tatimeve prej tyre. Borxhi tatimor arriti në fund të vitit 2011, vlerën e 64.5 miliardë lekëve, duke shënuar një rritje prej rreth 6.1 miliardë lekë kundrejt një viti me parë. Shifrat e bëra publike nga Kontrolli i Lartë i Shtetit tregojnë se detyrimet e bizneseve nuk janë ulur, edhe pse gjatë vitit që lamë pas u zbatua amnistia fiskale, e cila iu ofronte bizneseve mundësinë që duke shlyer principalin e borxhit, të përfitonin nga falja e gjobave dhe kamat-vonesave.
Amnistia fiskale
Sipas KLSH-së, impakti në uljen e detyrimeve nga ligji i faljeve ka qenë vetëm 10.6 miliardë lekë. Ndërkohë, borxhi që aktualisht bizneset i kanë administratës tatimore llogaritet në rreth 4.9 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto, ose pothuajse sa totali i investimeve, kapitaleve që qeveria ka realizuar gjatë gjithë vitit të kaluar.
Debitorët
Kundrejt Produktit të Përgjithshëm Kombëtar, vlera e këtyre detyrimeve ka ardhur duke u rritur vitet e fundit, duke treguar problemet serioze që po kalon biznesi. Nga të dhënat e Kontrollit të Lartë të Shtetit rezulton se debitorë janë 79 176 subjekte dhe gjatë vitit të kaluar numri i tyre u rrit me 589 biznese. Nga përllogaritjet del se mesatarja e detyrimeve është 809 mijë lekë për subjekt. Një tjetër fakt që evidentohet nga raporti i KLSH-së është se peshën më të madhe e zënë debitorët për tatimin mbi fitimin në shumën 21.6 miliardë lekë, ose sa 34 për qind e totalit të detyrimeve, pasuar nga debitorët e TVSH-së me 18 miliardë lekë dhe debitorët e kontributeve të sigurimeve shoqërore me 8.3 miliardë lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›