“Black out” në të gjithë vendin! Ndërpritet energjia, OST: Defekti nisi në linjën e interkonjeksionit me Greqinë

Shqipëria mbeti pa energji këtë të premte duke u përfshirë nga një situatë e pazakontë, që la pa shërbim për minuta të tërë abonentët familjarë dhe bizneset në të gjithë vendin.
Që prej orës 12:20, furnizimi me energji elektrike u ndërpre në rang vendi, duke përfshirë Tiranën, Durrësin, Vlorën, Shkodrën, Kukësin, Sarandën dhe qytete të tjera.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sqaroi se shkëputja e energjisë elektrike ndodhi për shkak të rënies së sistemit 400 kilovolt të Operatorit të Sistemit të Transmetimit.
Nga ana e Operatorit të Sistemit të Transmetimit shpjegohet se defekti ka nisur nga linja e interkoneksionit me Greqinë, duke prekur më pas Shqipërinë, si edhe linjën e Prizrenit.
Sipas OST, volumet e larta të transmetimit si dhe temperaturat ekstreme kanë qenë shkaktarët e shkëputjes totale të linjave të transmetimit.
“Aktualisht po manovrohet për rikthimin e energjisë ne nënstacionet 110kV te OST, dhe me radhe radhë te nënstacionet 35kV të OSSH. Po punohet me ritme të larta për stabilizimin e situatës”, thuhet në reagimin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Pas ndërhyrjes së grupeve në terren, OSHEE njoftoi se energjia elektrike është rikthyer në nënstacionet Selitë, Traktora dhe Qendër./vizionplus.tv