Blerim Çela: FRD dhe AK sduhet të bëjnë koalicion me partitë e mëdha
Ish-deputeti i PD-së: E djathta alternative do të ketë sukses të madh
Fatjona Mejdini
Ish-deputeti i PD-së dhe ish-drejtuesi i selisë blu, Blerim Çela, deklaroi se dy partitë e reja në vend, Fryma e Re Demokratike dhe Aleanca Kuq e Zi, do të kenë sukses të madh në zgjedhje, por ato nuk duhet në asnjë mënyrë të hyjnë në koalicion me dy partitë e mëdha. Në një intervistë për Shqip, Çela flet për të djathtën shqiptare dhe kryesisht rolin e madh, që sipas tij, do të luajnë, FRD-ja dhe AK-ja në ndryshimin e pushtetit gjatë zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme. Sipas tij, PD është tashmë një forcë, që të djathtë ka vetëm emrin dhe sipas tij, do të paguajë në vitin 2013 keqqeverisjen dhe po kështu faktin që është treguar antishqiptare në drejtimin e vendit.
Z. Çela, skena politike brenda së djathtës shqiptare ka nisur të qartësohet, në një kohë kur nga zgjedhjet e ardhshme na ndajnë vetëm 10 muaj. Aktualisht në vend kemi një parti të re si FRD-ja e cila do të drejtohet nga ish-presidenti dhe numri dy në PD, Bamir Topi. Si e parashikoni ndikimin e kësaj force politike në elektoratin e djathtë dhe raportin e votave që mund të krijojë me PD-në?
Futja në skenë e një partie të re të qendrës së djathtë si FRD është domosdoshmëri e kohës, sepse aktualisht PD ka vetëm emrin të djathtë, në fakt, kjo parti, me një histori 22-vjeçare ka dhënë shumë për Shqipërinë dhe demokracinë shqiptare që nga largimi i regjimit komunist e deri në ndërtimin e shtetit juridik të së drejtës me institucione demokratike, të cilat u shkrinë me ardhjen e PS-së në qeverisje, në korrik të 1997-s. Nuk dua të futem në historinë e PD-së, pasi atë e kam trajtuar në librin tim Deformimi i Partisë Demokratike, por kjo parti, nga një parti e qendrës së djathtë me demokraci të brendshme në parti, funksionim të statutit e të forumeve të zgjedhura me votim të ndershëm dhe marrje vendimesh në rrugë kolegjiale, u kthye në një parti që nuk përligji programin e saj të djathtë, që nga moskalimi i pronës dhe i tokës te trashëgimtarët, spostimi i pjesës së djathtë të kontribuuesve e intelektualëve demokratë prej saj, mostrajtimi i vazhdueshëm i të përndjekurve politikë me shkollime, strehime e dëmshpërblime, pa përmendur që pjesëmarrja e të përndjekurve politikë në organet partiake e pushtetore të PD-së ka qenë e vogël e vazhdon të zvogëlohet. PD-ja u kthye në një parti ku ligjin nuk e bën statuti e forumet e saj, por kryetari i përjetshëm me një klan të vogël njerëzish rreth tij, të cilët bënë çmos të largonin, apo spostonin pjesën e djathtë të kësaj partie që kritikonin hapur veprimet e shuarjes së demokracisë së brendshme në PD, votimeve të manipuluara, anashkalimin e bazës së partisë në propozime që shpërfilleshin, por edhe mosmbledhja e forumeve vendimmarrëse të partisë sipas statutit, duke e kthyer atë në një parti tashmë jo demokratike dhe as të qendrës së djathtë. Ky është një boshllëk i madh në kahet politike në Shqipëri. Tani bëhet luftë për pushtet midis dy partive të majta PD e PS jo për ide, programe e alternativa të ndryshme. Këtë boshllëk mendoj se do ta plotësojë partia e sapothemeluar FRD e cila aktualisht drejtohet nga zoti Gazmend Oketa dhe një grup intelektualësh të spikatur në politikë, në profesionet e tyre, por edhe nga shumë njerëz që kanë humbur besimin tek PD-ja qoftë në Tiranë, ashtu dhe nëpër rrethe, madje një pjesë e madhe e tyre janë demokratë, jo vetëm të larguar nga PD, por edhe drejtues e anëtarë të thjeshtë në të katër anët e Shqipërisë. Unë nuk jam anëtar i saj, por e simpatizoj dhe e mbështes për të ndryshuar këtë klasë politike, që ka mbjellë vetëm konflikte, korrupsion, krim, uzurpim pushtetesh dhe vonim në marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë për në BE. Kjo parti i përket spektrit të qendrës së djathtë dhe do të formalizohet si e tillë jo vetëm nga Ministria e Drejtësisë që e ka njohur, por në radhë të parë nga kongresi i saj i parë, ku kryetari do të zgjidhet me kandidatura alternative dhe mund të jetë edhe zoti Topi. Zgjedhjen e kryetarit të saj do ta vendosin delegatët e kongresit me votim të ndershëm e të fshehtë. Nuk jam dakord që kjo parti të quhet parti e Topit apo Oketës. Kjo është një parti ndryshe nga ajo e Berishës dhe nuk mund të quhet partia e një personi. Siç e thashë dhe më lart, mbështetja e kësaj partie është shumë e madhe, njerëzit kërkojnë ndryshim në politikën shqiptare, dhe këtë nuk mund ta sjellë as PD dhe as PS. Nëse kjo parti, sipas mendimit tim, bën koalicion me njërën prej këtyre partive, do të humbasë besimin e elektoratit si një parti, duke u vënë në rresht pas qerres së asaj partie të madhe me të cilën do të bëjë koalicion. Ky bashkim nuk do të sillte asgjë të re, përveç kolltukut të deputetit, ndoshta edhe të ministrit të drejtuesve të saj. Ky do të ishte një zhgënjim i madh. Më mirë në opozitë se pas qerres së të mëdhenjve dhe akoma më mirë, nëse krijohen kushtet, të kërkohen zgjedhje të reja, derisa kjo parti me aleatët e saj të dalë forcë e parë.
Në skenën politike, rol protagonist po luan dhe Aleanca Kuq e Zi. Mendoni se elektorati i kësaj force politike do të jetë i mjaftueshëm për të arritur përfaqësimin me deputetë në Kuvend?
Aleanca Kuq e Zi është forca e rinisë patriote që e do dhe lufton për Shqipërinë, forcimin e përparimin e saj kudo që jetojnë shqiptarët, për ti bashkuar ata në një shtet të vetëm, sipas standardeve ndërkombëtare. Sikur vetëm këtë detyrë të kryente kjo parti, do ta justifikonte veten dhe do të mbetej përjetë si një yll i shndritshëm i Shqipërisë etnike. Shumë politikanë thonë që nuk është koha për një gjë të tillë. I pyes kur do të vijë ajo kohë? Me këta politikanë që nuk kërkojnë bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, se kanë frikë nga humbja e posteve dhe pushteteve të tyre? Shembujt i kemi dhe janë trajtuar gjerësisht në media që nga falja e detit Greqisë e deri te varret e Kosinës, moshapja e gojës për çështjen çame dhe frika që kanë të kërkojnë hapje konsullatash në Çamëri, siç kanë bërë grekët në Gjirokastër e Korçë. Kjo është kërkuar nga AK me të drejtë, dhe jo për karshillëk, por për reciprocitet. Përse nuk duhet përkrahur kjo parti që kërkon të drejtat tona në rrugë paqësore sipas kartës së Atlantikut për vetëvendosjen e popujve. Aventurierë janë ata që anatemojnë AK-në si parti nacionaliste dhe mbrojnë shtetet fqinje shoviniste. Ne që kërkojmë atë që na kanë rrëmbyer me forcë e padrejtësi që para 100 vjetësh na quakan nacionalistë aventurierë, ata që mbyllin gojën dhe ngrohin xhepat e kolltukët qenkan të arsyeshmit. Fqinjët që na i kanë rrëmbyer, marrin poza të viktimës, por edhe të agresorit duke na kërcëllitur dhëmbët. Ne nuk i kërcëllasim dhëmbët askujt, por duam trojet tona, sipas të gjitha të drejtave ndërkombëtare. Me Kosovën u shemb një mur i padrejtë nga NATO dhe SHBA e BE. Kjo duhet të vazhdojë, por sipas së drejtës ndërkombëtare për vetëvendosje. Partia AK, që nuk dua ta quaj partia e Spahiut, meqë tiparet e saj janë vetëm demokratike, i përket qendrës dhe pranon anëtarësime nga e djathta dhe nga e majta. Ajo ka një program zhvillimor të vendit, të kundërt me atë të dy partive historike, që akoma nuk kanë zhdukur varfërinë, por i shtuan asaj edhe korrupsionin dhe kanë mprehur konfliktet sociale dhe ato politike, në vend që të sillnin paqe e bashkëpunim. Ato janë shkaku i vonimit të marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE. Mendimi im është se faji kryesor i takon mazhorancës, por mosvotimi i PS më 6 gusht për heqjen e imuniteteve do të ishte një gabim fatal jo vetëm për Shqipërinë, por në radhë të parë për PS-në. Unë nuk kam besim se heqja e imunitetit do të ndihmojë antiko