Blinken: SHBA vendosi kontakte ‘direkte’ me rebelët që morën pushtetin në Siri

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur “kontakt të drejtpërdrejtë” me Hayat Tahrir al-Sham (HTS), grupi që kryeson një koalicion që mori pushtetin në Siri, tha sot Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken.
“Ne kemi qenë në kontakt me HTS dhe palët e tjera,” u tha Blinken gazetarëve pas bisedimeve për Sirinë në Jordani.
Ai nuk dha detaje mbi rrethanat e atyre kontakteve, por kur u pyet nëse Shtetet e Bashkuara kishin një lidhje të drejtpërdrejtë, ai u përgjigj: “Kontakti i drejtpërdrejtë, po”.
Blinken sqaroi se ky kontakt ishte kryesisht pjesë e përpjekjeve për të gjetur Austin Tice, një gazetar amerikan i cili u rrëmbye në vitin 2012 në fillimin e luftës civile siriane.
“Ne u kemi këmbëngulur të gjitha palëve që kemi qenë në kontakt sepse është e rëndësishme që të gjejmë Austin Tice dhe ta kthejmë atë në shtëpi,” shpjegoi ai.
HTS, e udhëhequr nga Abu Mohammad al-Jolani, thotë se është shkëputur nga xhihadizmi, por vazhdon të etiketohet si “organizatë terroriste” nga shumë kryeqytete perëndimore dhe Uashingtoni.
Blinken është duke përfunduar një turne rajonal që e çoi në Turqi, Jordani dhe Irak, tre vende fqinje me Sirinë, gjatë së cilës foli për situatën në atë vend pas përmbysjes së Bashar al-Asad.
/rtsh.al/