E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bllokada SHBA për Kurtin, jo Kosovën/ ‘Duhet dikush që shmang veprimet destabilizuese dhe kujdeset për stabilitetin’

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka deklaruar se do të vazhdojë të jetë mike e afërt e popullit të Kosovës.

Në përgjigjen e Ambasadës për Klankosova.tv, amerikanët përmendën nevojën për një partner që e kupton nevojën për t’i shmangur veprimet destabilizuese dhe që është i përkushtuar për ta avancuar stabilitetin rajonal.

Ambasada thekson se e Ngarkuara me Punë, Anu Prattipati, ka takime të rregullta me kryeministrin në detyrë Albin Kurti.

“Shtetet e Bashkuara do të jetë gjithmonë një mike e afërt e popullit të Kosovës dhe jemi plotësisht të përkushtuar ndaj partneritetit tonë. Ne duam të ecim përpara me qeverinë në detyrë, por kemi nevojë për një partner që e kupton nevojën për të shmangur veprimet destabilizuese dhe që është i përkushtuar për të avancuar stabilitetin rajonal dhe për të mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne do të vazhdojmë të vlerësojmë veprimet e qeverisë në detyrë”, thuhet në përgjigje për Klankosova.tv.

ShBA-të të premten e kaluar e kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë.

“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, deklaroi Ambasada ditë më parë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›