E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokimi i pagave, Apeli i GJKKO padit Ministrinë e Financave dhe degën e Thesarit Tiranë

TIRANË, 11 shtator /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar paraqiti sot një padi pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë ndaj Ministrisë së Financave dhe degës së Thesarit Tiranë për bllokimin e pagave të magjistratëve dhe administratës gjyqësore.

Në objektin e padisë, gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkon konstatimin e paligjshmërisë së veprimeve të Ministrisë së Financave dhe Degës së Thesarit Tiranë, të cilat, sipas saj, kanë penguar procedimin dhe ekzekutimin e urdhër-shpenzimeve dhe listëpagesave për muajin gusht 2026.

Gjithashtu në objektin e padisë kërkohet konstatimi i paligjshmërisë dhe, për rrjedhojë, shfuqizimin e akteve dhe/ose veprimeve administrative të Degës së Thesarit Tiranë, të materializuara në refuzimin, mosprocedimin ose pezullimin e ekzekutimit të urdhër-shpenzimeve dhe listëpagesave të paraqitura nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për muajin Gusht 2026.

Sipas padisë, përllogaritja e pagave është bërë në zbatim të vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 26 gusht, si dhe të urdhrit të Zëvendëskryetarit të Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Një tjetër kërkesë e gjykatës është që procedimi i dokumentacionit financiar të mos kushtëzohet me ripërllogaritjen e pagave sipas parametrave të muajit korrik 2026, për sa kohë vendimi i KLGJ-së dhe urdhri i Zëvendëskryetarit janë në fuqi dhe prodhojnë efektet e tyre juridike.

Sipas Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar pushteti ekzekutiv ka ndërhyrë në zbatimin e akteve që përcaktojnë pagën referuese bazë të magjistratëve, duke penguar prodhimin e efekteve të tyre juridike dhe financiare.

Gjykata thekson se në këtë rast nuk bëhet fjalë për dy organe publike me kompetencë të barabartë për përcaktimin e pagave të magjistratëve.

Sipas saj, Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendimin, ndërsa Këshilli i Lartë Gjyqësor e ka zbatuar atë. Më tej, Gjykata e Posaçme e Apelit ka vijuar zbatimin e vendimit të KLGJ-së përmes datë 1 shtator 2026, të Zëvendëskryetarit, për kryerjen e përllogaritjeve të pagës referuese bazë.

“Nëse organet financiare vlerësonin se aktet mbi të cilat mbështetej shpenzimi ishin të paligjshme, duhej të vepronin vetëm nëpërmjet mekanizmave dhe procedurave që ligji u njeh. Mosprocedimi i pagesës nuk mund të shërbejë si mjet juridik për pezullimin faktik të një akti administrativ në fuqi”, thuhet në kërkesë padi.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›