Bllokojnë testet për patentë shoferi

Qendrat për testimin e kandidatëve për patentë-shoferë që veprojnë në gjashtë regjione të Kosovës, në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Mitrovicë, Pejë dhe Prizren përreth një muaj do të jenë “jashtë përdorimit”.
Të punësuarit në këto qendra kanë shkuar në pushim veror në të njëjtën kohë me kolegët e tyre, gjë që ka bërë që qendrave t’iu vihet “dryni” që nga 12 korriku deri më 9 gusht.
Ndërkaq, gjatë kësaj periudhe komuniteti i autoshkollave do ta ketë të pamundur që ta zhvillojë punën në kushte normale, ngase, përveç tjerash, kandidatët për patentë shoferi në kategori të ndryshme nuk mund t’i nënshtrohen testit teorik, sikurse edhe atij praktik.
Pushimi kolektiv i qendrave që veprojnë nën ombrellën e Ministrisë së Infrastrukturës (ish-Ministria e Transporteve), ka shqetësuar pronarët, të punësuarit dhe instruktorët e autoshkollave, të cilët besojnë se në këtë formë po dëmtohen sikurse ata, edhe kandidatët e tyre.
Në qendrat për testimin e kandidatëve gjatë orarit të rregullt të punës, nga e hëna deri të premten, testohen qindra kandidatë për pjesën teorike, përkatësisht provimit me shkrim, dhe asaj praktike, që është testimi i vozitjes së automjetit.
Demolli: Rreth njëqind autoshkolla janë “offline”
Kryetari i Shoqatës së Autoshkollave të Komunës së Prishtinës, Naim Demolli, thotë se nga pushimi kolektiv i qendrave është duke u dëmtuar jashtëzakonisht shumë komuniteti i autoshkollave.
“Ky veprim përveç se i dëmton bizneset e autoshkollave i dëmton edhe kandidatët të cilët e kanë pritur me kohë edhe presin gjatë për të hyrë në provim. E njëjta gjë (pushimet kolektive) kanë filluar atëherë kur kishte numër të vogël të administratës. Tash, ka numër të mjaftueshëm të të punësuarve në administratë, me këta të punësuar kanë mundur të mos i mbyllin qendrat dhe të punojnë pa ndërprerje. Kjo me të vërtetë po na dëmton”, thotë Demolli.
Ai thekson se vetëm në regjionin e Prishtinës funksionojnë rreth njëqind autoshkolla, të cilat, sipas tij, i kanë të punësuar rreth pesë persona, e të cilët, siç thotë ai, janë të paralizuar karshi punës normale.“Në momentin që nuk punojnë (instruktorët e autoshkollave) nuk i paguajnë. Në momentin që ata pushojnë së punuari dëmtohen edhe në paga. Atyre nuk i ndërpritet marrëdhënia e punës, por kandidatët hezitojnë të shkojnë në kohën kur nuk mbahen provimet sepse, ata dëshirojnë që në kohën kur i përfundojnë orët (orët e vozitjes) sa më herët të hyjnë në provim me shkrim dhe provim praktik në mënyrë që t’i kenë sa më të freskëta njohuritë që i ka marrë”, thotë Demolli.
Ai tregon se ka dhjetë ditë që qendra në Prishtinë nuk është duke pranuar lëndë, përkatësisht kandidat të rinj për t’iu nënshtruar provimeve, prandaj, sipas tij, nëse llogaritet kjo kohë së bashku me pushimin kolektiv, i bie që qendrat janë në “pauzë” për rreth një muaj e gjysmë.
Shatri: Pushimet nuk i dëmtojnë autoshkollat!
Mirëpo, të gjitha shqetësimet dhe akuzat e komunitetit të autoshkollave hidhen poshtë nga zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës.Drejtori i Departamentit të Automjeteve, Nebih Shatri, thotë se është e pamundur që të organizohet pushimi ndryshe nga pushimi kolektiv, ngase, sipas tij, qendrat nuk kanë staf të mjaftueshëm i cili do të mund të punonte edhe në mungesë të zyrtarëve të tjerë.
“Autoshkollat nuk dëmtohen asgjë me këtë. Kjo më shumë ka të bëjë me keqpërdorimet e autoshkollave sesa me atë që duan ta mbrojnë kandidatin. Sa u përket qendrave, nuk është problemi tek ata që i mbajnë provimet, por te stafi administrativ, nëse nuk shkojnë në pushim kështu komplet neve vetëm na bllokohet puna”, thotë ai.
Shatri thekson se në qendra ka numër të vogël të zyrtarëve te pjesa administrative, dhe se secili prej tyre e ka punën e tij specifike, ndërkaq nëse mungojnë dy e më shumë zyrtarë atëherë qendrat futen në kolaps. “Ka pasur ide që një qendër të bëjë kujdestari, për shembull, kandidati nga Prishtina të shkojë në Pejë, kjo nuk ka mundësi, s’mund t’i thuash tash kandidatit shko në Pejë hyj në provim”, thotë ai.
Sipas tij, arsyetimi i të punësuarve në autoshkolla se pushimet kolektive të qendrave po i dëmtojnë, janë të pabaza dhe të pasinqerta. “Autoshkolla është e pavarur, ajo s’ka të bëjë asgjë me mbajtjen e provimeve. Është plotësisht e pavarur. Kur kandidati e kryen trajnimin paraqitet vetë në provim e jo autoshkolla. Aftësimi i kandidatit zgjatë një muaj, në momentin kur ai e kryen aftësimin përfundon edhe pushimi i stafit. Krejt këto janë arsyetime të pavend, më shumë janë shqetësime se po iu prishen matematikat atyre keqpërdoruesve sesa që është shqetësim për kandidatin”, thekson drejtori Shatri.
ÇOHU: Pushimi kolektiv është i paligjshëm
Mënyra se si e organizojnë pushimin vjetor qendrat për testimin e kandidatëve për patentë shoferi, për shoqërinë civile është kryekëput e paligjshme dhe e dëmshme për shtetin.
Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet – “Çohu”, thotë se është e pakuptimtë qendrat t’i mbyllin dyert “me dry”, ndërsa autoshkollat kanë nevojë për mbarëvajtje normale të procesit të punës.
“Unë nuk e shoh se është dashur të ketë pushim kolektiv me një datë të caktuar deri në një datë të caktuar derisa Ligji i Punës e parasheh që i punësuari i ka tetëmbëdhjetë ditë pushim brenda vitit, dhe ato secili i merr në mënyrë individuale kur ka nevojë, dhe jo të mbyllet funksionimi për një të caktuar i një institucioni, pra mosfunksionim i tërësishëm”, thotë Demhasaj.
Ai thekson se i vetmi institucion që pushon kolektivisht është Kuvendi i Kosovës, madje kur bëhet fjalë për pushimin e deputetëve gjatë muajit gusht, kur pushon puna e legjislativit, por jo edhe administrata e Kuvendit, e cila punon normalisht. “Më duket shumë e paarsyeshme që një institucion të bllokohet, edhe punëtorët të shkojnë në pushim kolektiv. Padyshim që kjo e pengon procesin e zakonshëm të punës, i pengon edhe autoshkollat, edhe kandidatët”, shprehet Demhasaj.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti e Industri, Zenun Pajaziti, thotë se nuk e ka të qartë nëse pushimi kolektiv ka bazë ligjore, përkatësisht ekziston ndonjë udhëzim administrativ ose jo për këtë, por shprehet i bindur se ky komision do ta trajtojë këtë çështje.
“Ne e mbikëqyrim zbatimin e ligjit por nuk merremi me çështje operacionale. Nëse konstatohet se është ndonjë shkelje e ligjit, ne zakonisht i thërrasim ministritë edhe bëjmë monitorim. Tash për tash nuk kemi ndonjë informatë, por nëse na vjen një informatë e tillë do ta shikojmë dhe do ta trajtojmë”, ka thënë deputeti Pajaziti.
Mujota vazhdon t’i injorojë autoshkollat
Kryetari i Shoqatës së Autoshkollave të Komunës së Prishtinës, Naim Demolli, thotë se ka kohë që kanë kërkuar të takohen me ministrin e Infrastrukturës, Fehmi Mujota, për t’ia shprehur brengat e komunitetit të autoshkollave, por ai nuk është duke treguar vullnet për një gjë të tillë.
“I ka më tepër se tre katër muaj që e kemi bërë kërkesën për takim, i kemi bërë kërkesë edhe sekretarit të ministrisë që të na takojë, mirëpo nuk po na takon. Unë nuk e di se cila është arsyeja, përveç se, sikur e dinë problematikën dhe po duan të na injorojnë ashtu që të mos u nxjerrim telashe”, thotë Demolli, duke shtuar se njëra nga pikat që është në plan të diskutohet është kërkesa që qendrat të mos mbyllen por të funksionojnë me dy të tretat dhe një e treta të shkojë në pushim./Zëri/Indeksonline/