Bllokuan qarkullimin në “Dëshmorët e Kombit” dhe tejkaluan orarin e protestës, 9 persona nën hetim

Strukturat e Policisë së Tiranës kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë 9 shtetas, të cilët dyshohet se kanë qëndruar në mënyrë të kundërligjshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pas përfundimit të një tubimi të zhvilluar më 20 qershor 2026.
Sipas Policisë, rreth orës 22:00, personat e proceduar kanë vijuar qëndrimin në bulevard përtej orarit të njoftuar për zhvillimin e tubimit, duke penguar qarkullimin e automjeteve dhe duke prishur qetësinë publike. Bëhet fjalë për shtetasit me iniciale Sh. G., 32 vjeç, A. G., 56 vjeç, A. B., 25 vjeç, V. K., 28 vjeç, G. K., 30 vjeçe, A. K., 43 vjeç, E. S., 36 vjeç, A. K., 34 vjeç dhe R. Sh., 22 vjeç.
Policia bën me dije se këta shtetas kanë zaptuar hapësirën publike duke vendosur karrige metalike dhe sende të tjera në bulevard, ndërsa kanë refuzuar të largohen pavarësisht thirrjeve të përsëritura të efektivëve për lirimin e zonës dhe respektimin e dispozitave ligjore.
Ndërkohë, vijon puna për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”.
/rtsh.al/