E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Blushi: Domosdoshmëri Intensifikimi i aksionit opozitar në terren

TIRANË 28 nëntor /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi zhvilloi sot një mbledhje me Strukturat e Partisë së Lirisë në qytetin e Vlorës.

Në fjalën e tij Blushi  u shpreh se, kjo mbledhje përcakton “domosdoshmërinë e intensifikimit të aksionit opozitar në Bashkinë e Vlorës, në Qarkun e Vlorës dhe në veçanti për të vijuar me më shumë energji takimet derë më derë për prezantimin e programit tonë të shkëlqyer, 5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus”.

Blushi përgëzoi Këshilltarët e PL në Bashkinë e Vlorës, këshilltarët në Bashkinë e Himarës dhe në Bashikinë e Selenicës, “për përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm në shërbim të komunitetit sidomos ne kushtet kur Vlora edhe pse drejtohet edhe këtë mandat nga “Rilindja” po dëshmon gjithmonë e më shumë se fokusi i saj nuk është zhvillimi i Vlorës, por përkundrazi është shkatërrimi i këtij qyteti të jashtëzakonshëm, i këtij kryeqyteti të Pavarësisë dhe i qytetit që aq shumë ka dhënë për Lirinë dhe Pavarësinë e vendit”.

Ai theksoi se, “Bashkia e Vlorës është kthyer tanimë në simbol të korrupsionit të gjithë jeni dëshmitarë që edhe rilindasi në krye të Bashkisë së Vlorës nuk i ka garantuar këtij qyteti ujin e pijshëm jeni të gjithë dëshmitarë sesi rilindasi i radhës në krye të Bashkisë së Vlorës e ka shndërruar Vlorën ose më mirë të themi e ka përmbytur Vlorën nga mbeturinat duke e shndërruar në një “bombë ekologjike” situatën me mbetjet urbane dhe sidomos në këtë qytet, ku arbitrariteti i “Rilindjes” në raport me biznesin e ndershëm është në nivele shumë të larta”.

Blushi kërkoi nga të gjithë intensifikim të aksionit opozitar në terren.

“Edhe buxhetin që ai ka depozituar dhe që pritet të kalojë në seancën e dhjetorit nen për nen në Parlament, nuk është gjë tjetër veçse buxheti i vjedhjes më të madhe në historinë e vendit, veçse buxheti i cili i hap udhën gllabërimit të qindra e qindra miliona eurove taksa tuaja, taksa të qytetarëve të Vlorës, taksa që paguhen nga pensionistët e ndershëm dhe nga bizneset e ndershme”, tha Blushi.

Blushi theksoi se, “ky buxhet parashikon për vitin e ardhshëm, për fat të keq, 0 mbështetje për të papunët, 0 mbështetje për shtresat më në nevojë te shoqërisë, parashikon 0 rritje pagash dhe ç’është më tragjikja parashikon vetëm 170 leke mbështetje në muaj për pensionistët, të cilët vitin e ardhshëm do të jenë edhe më të varfër se këtë vit dhe shume herë më të varfër se në vitin 2013 kur “Rilindja” dhe Edi Rama erdhi në pushtet me premtimin se do rriste pensionet dhe do ta shndërronte këtë kategori në kategorinë më të lumtur në vend”, tha ai.

E kundërta ka ndodhur sot, shtoi Blushi, “qeveria jo vetëm i tall dhe i përbuz pensionistët dhe dëshmi për këtë është indeksimi me 4.1% i pensioneve, një tallje, një poshtërim për të gjithë pensionistët, të cilët nuk mund të gënjehen as nga bonusi i fundvitit”.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›