E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Blushi: Drejtuese ilegjitime në krye të bashkisë së Tiranës

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në mbledhjen e grupit të Këshilltarëve të opozitës të bashkisë së Tiranës, tha se shkarkimi i kryetarit të bashkisë së Tiranës, duhet të kishte ndodhur kohë më parë.

Blushi tha se Veliaj duhet të ishte arrestuar më parë “jo vetëm për shkak të aferës së inceneratorëve, por edhe për shkak të skemës kriminale 5D, e cila ka zhvatur në mënyrë të përbindshme taksat e qytetarëve të Tiranës dhe kryetari i së cilës është ai”.

“Duhet të ishte arrestuar për shkatërrimin e çdo simboli historik dhe kulturor të qytetit”, u shpreh Blushi.

Sipas Blushit “është i patolerueshëm fakti që ky institucion është bunkerizuar dhe është shndërruar në simbolin kuptimplotë të censurës, të regjimit, jo vetëm ndaj përfaqësuesve të mediave dhe gazetarëve, por edhe ndaj qytetarëve të cilët pengohen me dhunë dhe forcërisht nga policia kriminale e Bashkisë së Tiranës, për të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak ku merren vendime në emër të tyre por pa u pyetur”.

“Gjithashtu dua t’ju konfirmoj vullnetin  e të gjithë Grupit të Këshilltarëve të Partisë së Lirisë, që për ne është i papranueshëm fakti që në krye të këtij institucioni të emërohet një drejtues apo drejtuese ilegjitime, e pavotuar nga qytetarët e Tiranës”, tha Blushi. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›