Blushi: Gjikuria tradhtar? Nuk krahasohet posteri në greqisht me skandalet e qeverisë

Opozita ende nuk e beson që himarjotët zgjodhën të dielën t’i japin një mandat socialistëve në krye të bashkisë së Himarës.
Zgjedhjet në qytetin bregdetar u zhvilluan pa probleme të mëdha, por pati kontestime prej qytetarëve që nuk mundën të votojnë nga mjetet e skaduara të identifikimit.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi për RTSH 24 se një arsye pse kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë” nuk u përkrah në shumicë mund të jetë tymnaja që u krijua qëllimisht rreth tij.
“Për fat të keq është krijuar tymnaja sikur në këtë garë ka qenë një nacionalist grek. Në qoftë se ka pasur një antishqiptar që kandidonte për kryetar i bashkisë së Himarës, ai ka qenë Edi Rama. Si mund të quash opozitën tradhtare të interesave kombëtare?! Në cilin tubim është parë flamuri i Vorio-Epirit apo emrat e shkruar greqisht? Duke sulmuar jo vetëm minoritetin, por duke e ndërtuar gjithë narrativën sikur minoriteti grek këtu qenka një celulë nacionaliste. I vetmi tradhtar, antishqiptar, i barabartë me Esat Pashë Toptanin, është Edi Rama!
Ju e dini që në Vranisht, kryetarja e Partisë Socialiste i ka mbyllur dyert medies për të filmuar votimin? Si ka mundësi që një bashki e cila e vuan më shumë se çdo tjetër problemin e pronësisë, ujin e pijshëm, votoka Edi Ramën?!” shprehu habinë e tij z. Blushi.
/rtsh.al/