E Enjte, 5 Nëntor 2026

Blushi: Prioritet, shndërrimi i Shqipërisë në fuqi eksportuese

TIRANË, 7 nëntor/ATSH/ Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, në tryezën e PL me temë “Shpopullimi i Shqipërisë”, prezantoi prioritetet për ndalim e shpopullimit dhe shndërrimin e Shqipërinë në fuqi eksportuese.

“5 prioritetet tona madhore për 4 milionë shqiptarë plus nuk janë thjesht një platformë partiake dhe ideologjike, por një platformë patriotike për të shpëtuar Shqipërinë nga gremina ku po rrëshket me shpejtësi. Degradimi i shtetit të së drejtës ecën paralelisht me degradimin e ekonomisë. Kosto e jetesës është e papërballueshme dhe në rritje të pandalshme, dhe bashkë me vrasjen e mundësive dhe shpresës nga keqqeverisja, ka nxitur shpopullimin dramatik të vendit”, tha ai.

Duke iu referuar statistikave të EUROSTAT për vitin 2023, Blushi u shpreh se “Shqipëria u rendit e treta në botë për kërkesat për azil, në raport me popullsinë, duke lënë pas edhe Afganistanin”.

“Qëllimi primar dhe prioriteti kryesor i Partisë së Lirisë në qeverisje do të jetë ngritja e standardit jetësor të shqiptarëve që në mandatin e parë. Për të arritur këtë objektiv ne do të forcojmë arkëtimin e të ardhurave në buxhetin e shtetit, do të përmirësojmë efikasitetin e shpenzimeve të parave publike dhe do të zvogëlojmë në zero korrupsionin në prokurimet publike”, u shpreh Blushi.

Ai theksoi se “programi i Partisë së Lirisë garanton një rritje të eksporteve në masën mbi 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga vetëm 8% që është sot”.

“Për Partinë Lirisë një prioritet shumë i rëndësishëm mbetet shndërrimi i Shqipërisë në një fuqi të vërtetë eksportuese nga një gropë importuese e të gjithë prodhimeve të skaduara. Pagat për nënat në masën 70-100% të pagës për 2 vitet pas lindjes. Do të trefishohet bonusi i bebes. Për nënat me dy dhe më shumë fëmijë ulje taksash në pagë dhe të ardhura”, tha ai.

Në fushën e strehimit, Blushi tha se do të ofrohen shtëpi për çiftet e reja sipas modelit hungarez, duke krijuar fondin e banesave për çiftet e reja.

“Kredi për blerje shtëpie me interes të subvencionuar dhe zbritje e kredisë me 3000 euro për fëmijën e parë, 6000 euro për fëmijën e dytë dhe 10000 euro për fëmijën e tretë. Shpenzimet për ushqime bazë do të rimbursohen 5%. Shpenzimet për “shportën e bebes” do të rimbursohen 10%. 20000 euro grant për çdo të ri deri në 25 vjeç që fillon biznes social apo start-up”, janë disa prej pikave të tjera në programin e Partisë së Lirisë.

/m.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›