Blushi: Tre deputetë janë kërcënuar nga Rama! Kuvendi mbron vetëm interesat kriminale, mafioze dhe ekonomike të Edi Ramës

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka akuzuar mazhorancën për shkelje të të drejtave të opozitës dhe ka kërkuar mbajtjen e një qëndrimi nga Kuvendi për pretendimet mbi kërcënimet ndaj deputetëve, në lidhje me votimin e reformës territoriale.
Gjatë fjalës së tij në Konferencën e Kryetarëve, Blushi e cilësoi miratimin e hartës së re territoriale si një akt politik që, sipas tij, prek interesat e qytetarëve. Ai deklaroi se vendimi dhe përjashtimi i deputetëve të opozitës nga punimet parlamentare tregojnë, sipas tij, përkeqësimin e situatës në Kuvend.
“Ky Kuvend konfirmoi se mbron vetëm interesat kriminale, mafioze dhe ekonomike të Edi Ramës. Miratimi i dhunshëm i hartës së shpopullimit shtroi nevojën që shqiptarët të zhbëjnë tani Kuvendin e krimit”, u shpreh Blushi. Ai akuzoi gjithashtu mazhorancën për shkelje të Kushtetutës dhe mohim të të drejtave të opozitës, duke e cilësuar Kuvendin si një institucion që, sipas tij, po miraton ligje me porosi të kryeministrit Edi Rama.
Një pjesë të fjalës së tij, Blushi ia kushtoi pretendimeve për kërcënime dhe shantazhe ndaj deputetëve, të cilët, sipas tij, janë vënë nën presion për të votuar hartën e re territoriale.