Blushi mbledh shtabin drejtues të LRI: Të sjellim ndryshimin që vendi ka nevojë

TIRANË, 15 nëntor/ATSH/ Partia e Lirisë mblodhi sot shtabin drejtues të Lëvizjes Rinore për Integrim për riorganizimin kur mbeten ende pak muaj nga zgjedhjet e përgjithshme të 2025-ës.
Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi theksoi nevojën për intensifikimin e aksionit të përbashkët opozitar, teksa foli për agresion të paprecedentë ndaj Partisë së Lirisë, e cila, tha ai, është sot në luftë frontale me qeverinë.
Ai theksoi nevojën e takimeve të drejtpërdrejta me qytetarët për të prezantuar 5 prioritetet e kësaj force politike, por edhe për angazhim në fushatën elektorale.
“Kërkohet nga ne të intensifikojmë aksionin tonë. Duhet të përgatitemi më fort, përmes një organizimi më të hekurt për të sjellë ndryshimin që vendi ka nevojë. Në 11 vite në pushtet Edi Rama nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka detyruar mbi 1 milion shqiptarë, shumica dërmuese e të cilëve bashkëmoshatarët tuaj, të rinj e të reja, të largohen nga vendi dhe rinia që ka ngelur sot në Shqipëri është më e papunë, më e pashpresë dhe fatkeqësisht edhe pa një të ardhme të sigurt në vendin e saj”, deklaroi Blushi.
Sipas Blushit, të rinjtë sot nuk mbështeten nga shteti, nuk kreditohen dhe as nuk stimulohen. Ndaj ai kërkoi nga drejtuesit e Lëvizjes Rinore për Integrim t’i prijnë betejës për largimin e mazhorancës qeverisëse.
“Përqendrimi vetëm tek krimi, droga dhe ekonomia e kullave, që shërben si lavatriçe e pastrimit të parave të pista në kryeqytet është arsyeja pse edhe në raportin më të fundit të EUROSTAT-it, Shqipëria renditet e fundit në Europë për të ardhurat për frymë dhe për fuqinë blerëse”, u shpreh Blushi.
Sipas tij, nuk është e rastësishme që qeveria ka vendosur që edhe për vitin e ardhshëm të mos e mbështesë arsimin dhe kulturën, të mos mbështesë kërkimin shkencor, të mos mbështesë Universitetin, por të mbështesë vetëm oligarkët dhe klientët pranë saj.
“Zbrazja e shkollave, dështimi në testet PISA, dështimi në kurrikula, analfabetizmi funksional i fëmijëve, mungesa e laboratorëve, mungesa e ngrohjes në shkolla, mungesa e mësuesve dhe mbyllja e programeve studimore tregon qartësisht se nuk ka asnjë reflektim për të mbështetur arsimin dhe rrjedhimisht për të mbështetur të ardhmen tuaj”, tha ai.
Kjo qeveri, vijoi Blushi, ka prioritet vetëm koncesionet dhe tenderët korruptivë, të cilat i çojnë paratë e qytetareve të varfër shqiptarë në xhepat e klientëve të saj.
“777 miliardë lekë do të shkojnë te projektet korruptive PPP dhe inceneratorët që nuk ekzistojnë, për klientët dhe vjedhjet e oligarkëve të Edi Ramës. Pra buxheti i vitit të ardhshëm nuk është buxheti i arsimit, nuk është buxheti i të rinjve dhe të rejave por është buxheti i rrënimit përfundimtar të së ardhmes së tyre”, u shpreh Blushi. /j.p/