E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi prezanton nismën për sigurinë ushqimore, Kuko: Pr/ligji nuk përmbush kriteret e përafrimit me BE-në

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme shqyrtoi në mbledhjen e së hënës projektligjin “Për domosdoshmërinë e kryerjes së analizave laboratorike për ndotësit ushqimorë”, i depozituar nga një grup deputetësh të Partisë së Lirisë në fund të vitit të kaluar dhe i paraqitur për dhënie mendimi.

Gjatë prezantimit të projektligjit, kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, u shpreh se ka situatë alarmante të sigurisë ushqimore në vend për shkak të produkteve të kontaminuara me pesticide dhe substanca të ndaluara, që rrezikojnë qytetarët dhe kanë dëmtuar eksporte shqiptare.

“Siguria ushqimore nuk është luks, por një e drejtë themelore dhe një detyrim kushtetues. Ky projektligj synon të mbrojë konsumatorin, fshatin dhe fermerin shqiptar”, u shpreh Blushi, duke theksuar rëndësinë e kontrollit të rreptë të produkteve ushqimore dhe garantimin e standardeve për eksportin drejt tregjeve ndërkombëtare.

Projektligji i propozuar nga Partia e Lirisë vendos detyrimin për analizat laboratorike për ndotësit kimikë dhe biologjikë në të gjitha produktet ushqimore, si një masë për të garantuar përputhshmërinë me legjislacionin evropian dhe për të parandaluar abuzimet që rrezikojnë shëndetin publik.

“Përmes këtij pr/ligji qëllimi ynë kryesor është mbrojtja e interesit publik dhe e qytetarit shqiptar. Kjo duhet të jetë një prioritet kombëtar për të gjithë ne”, u shpreh Blushi.

Relatorja e projektligjit, deputetja Romina Kuko, tha se nisma nuk është e parashikuar në Planin Kombëtar për Integrimin Evropian 2024–2026, ndonëse, sipas relacionit shoqërues, synon përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Ajo sqaroi se projektligji përmban 9 nene dhe synon evidentimin e mangësive në sigurinë ushqimore në Shqipëri, përmes vendosjes së një detyrimi të qartë dhe të zbatueshëm për kryerjen e analizave laboratorike për ndotësit kimikë dhe biologjikë në produktet ushqimore.

Kuko vuri në dukje se projektligji nuk është konsultuar në platformën e konsultimit publik të Kuvendit dhe, për rrjedhojë, nuk plotëson kriteret formale dhe materiale të hartimit të një akti ligjor.

“Nga shqyrtimi rezulton se projektligji nuk siguron një përafrim konkret me legjislacionin në fuqi të Bashkimit Evropian dhe cenon sigurinë juridike” theksoi ajo.

Sipas saj, projektligji referon Rregulloren (BE) nr. 1881/2006, e cila është shfuqizuar dhe zëvendësuar nga Rregullorja (BE) 2023/915, ndërsa aktet e tjera të përmendura nuk përfaqësojnë plotësisht kuadrin rregullator aktual të BE-së në fushën e sigurisë ushqimore.

Po ashtu, tha Kuko, nuk është paraqitur tabela e përafrimit me legjislacionin e BE-së, element kyç për verifikimin e përputhshmërisë së projektligjit. /e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›