Boçi: Ja si ndodhi sulmi dhe plagosja e deputetit të PD, Bledion Nallbati

Në emisionin “Trialog” në RTSH, nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, komentoi përplasjet gjatë protestës së sotme, duke u ndalur veçanërisht tek plagosja e deputetit Bledion Nallbati. Boçi u shpreh se sulmi ishte i personalizuar dhe se shënjestër ishin drejtuesit e protestës. Ai shtoi se edhe vetë ishte goditur gjatë përplasjeve.
“Para se të vija këtu pati një urgjencë, deputeti i Partisë Demokratike, Bledion Nallbati, u plagos dhe u dërgua në spital për ndihmë mjekësore. Ishim afër për të ndjekur ngjarjen dhe në rreshtin e parë, si të evidentuar si deputetë të Partisë Demokratike, kur sulmi u bë i personalizuar. Pas hedhjes së ujit nga makina, u targetuan drejtuesit. Sulmi ishte me porosi, sepse edhe unë u godita. Më kapën në shpatull, ndërsa Bledioni u godit në këmbë dhe në fytyrë, duke pësuar lëndime serioze. Për fatin tim të mirë, kisha një kundërgaz më të avancuar dhe nuk pësova pasojën që pati ai”, tha Boçi.
/rtsh.al/