E Diel, 1 Nëntor 2026

Boçi: Pas dëgjesave, komisioni duhet të dalë me variant të dakordësuar për reformën territoriale

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale vijoi me dëgjesat publike në kuadër të procesit të konsultimit gjithëpërfshirës, këtë herë në Elbasan.

Në drejtimin e dy bashkëkryetarëve,  Arbjan Mazniku dhe Luçiano Boçi kjo seancë u zhvillua me pjesëmarrjen e përfaqësuesve vendorë, institucioneve, ekspertëve dhe qytetarëve të qarkut Elbasan.

Në fjalën e tij Boçi tha se “kemi këmbëngulur që dëgjesa të tilla të jenë publike sepse mënyra si zgjidhen problemet nuk mund të fshihen, vëzhgohen vetëm nga sallat e parlamentit”.

“Territori zbulohet këtu në Elbasan, në çdo lagje, fshat, shihet tek shkollat e mbyllura tek rrugët e braktisura, tek largimi i shërbimeve ndaj qytetarëve dhe të gjithë ato probleme që ne i prekim çdo ditë”, u shpreh Mazniku.

“Dëgjesa është shumë e rëndësishme sepse ka të bëjë me arkitekturën e vet shtetit dhe raportit të tij me qytetarët me mënyrën si shteti konfigurohet në territor, si i shërben qytetarit, si përfshihet qyteti, si shpenzohen fondet publike dhe si organizohet demokracia vendore”, nënvizoi Boçi.

Gjithashtu, vijoi Boçi, është shumë e rëndësishme dëgjesa sepse nivelet politike dhe teknike mbajnë gjithmonë ligjërimin e reformës më shumë në pjesën e kompetencave, të modelit qeverisës, funksioneve, ndërsa qytetari e lidh domosdoshmërisht me territorin.

Boçi vuri në dukje se “territori nuk është qëllim në vetvete i kësaj reforme, siç pretendohet sepse në realitet ne kemi variante të ardhura nga PS, por ama ai është mjeti kryesor për realizimin e qëllimit apo qëllimeve që i ka përcaktuar vetes kjo reformë”.

“Ajo që na ka sjellë nuk është as Bashkimi Europian, shumë e mirë është si tezë politike, por nuk lidhet me realitetin e reformës territoriale. Nuk na ka sjellë as kërkesa e kryetarëve të bashkive për më shumë kompetenca, funksione, autonomi financiare sepse realisht të gjithë jemi dëshmitarë që sa urtë rrinë para Kryeministrit kur ai me iniciativat e tij ua merr kompetencat nëpërmjet hartimit të ligjeve që bien ndesh edhe me ligjin organik të  pushtetit vendor”, theksoi Boçi.

Këtu, shtoi Boçi, na ka sjellë qytetari dhe sigurisht na ka sjellë reforma e 2014-2015.

“Në këtë sallë dhe përtej saj endet një pyetje përgjigja e së cilës impakton drejtpërdrejt rrugëtimin e komisionit tonë, menaxhimin e dëgjesës sot dhe produktin final të Komisionit të Reformës Territoriale, i cili mendoj duhet domosdoshmërisht të jetë konsensual. Këtë gjë e kemi të pangeociueshme, ne e kemi deklaruar dhe e deklarojmë vazhdimisht. Komisioni pas dëgjesave duhet të dalë me një variant të dakordësuar për modelin qeverisës dhe për modelin e territorit”, tha Boçi.

Këto dëgjesa janë pjesë e një serie takimesh që synojnë të përfshijnë aktorët lokalë dhe komunitetin në hartimin e një reforme sa më funksionale dhe të qëndrueshme për qeverisjen vendore në vend.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›