E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Boçi: Protesta e PD-së me 6 dhjetor nuk është kundër BE-së, por kundër Ramës

Protesta e demokratëve në 6 dhjetor do të mbahet siç është parashikuar, pavarësisht qendrimit të policisë për çështjet e sigurisë.

“Heshtja e opozitës nuk tregon respekt për liderët evropianë. Protesta është kundër Edi Ramës. Është mikpritëse për liderët evropianë, por është kundërshtuese ndaj vendimeve të Ramës gjatë qeverisjes së tij.”- tha nënkryetari i PD, Luçiano Boçi, në emisionin “Pa Censurë” me gazetaren, Elona Meço. Ai hodhi poshtë edhe kritikat se protesta kishte karakter antiperëndimor.

“Protestë dhe antiperëndimore nuk përputhen. Protesta është vlerë perëndimore. Besoj se liderët evropianë do të mirëpresin një protestë të tillë, pasi ajo është për shkatërrimin e kolonave themelore për shkak të vjedhjes së votës, që sjell edhe pasojën zinxhir, mungesën e sigurisë ekonomike, sigurisë juridike, shëndetësore, arsimore, si dhe sjell pasoja që kanë të bëjnë me shpopullimin, keqqeverisjen. Janë të gjitha këto fakte që bëjnë sot që Shqipëria të renditet ndër vendet më të varfra, me rritjen ekonomike më të vogël, me korrupsionin më të lartë, një vend që nuk ofron normalitet evropian për shtetasit e vet, përkundrejt propagandës dhe reklamës qeveritare“- u shpreh zoti Boçi.

9 nga liderët e Bashkimit Evropian, që do të jenë në 6 dhjetor në Tiranë, janë pjesë e Partisë Popullore Evropiane, por nënkryetari i PD thotë se me ta nuk ka patur kontakte për këtë protestë, pasi nuk ka praktika të tilla që lidhen me situatën e brendshme të një vendi.

Zoti Boçi konfirnoi një marrëdhënie të qëndrueshme me PPE, pavarësisht përplasjeve brenda PD, që bënë që PD të mos kishte votë të përfaqësuar në Kongresin e fundit të PPE.

“Marrëdhënia vazhdon në kanale tradicionale. Ne kemi përfaqësuesit tanë, zonja Vokshi ka qenë e pranishme. Nuk shoh rrezik për përjashtim. Një sjellje përjashtuese nuk është mënyrë e të vepruarit e PPE”- u shpreh nënkryetari i PD, Luçiano Boçi, për emisionin “Pa Censurë”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›