E Diel, 1 Nëntor 2026

Boeing mbyll tremujorin e dytë me 428 milionë dollarë humbje pas kostove shtesë në Air Force One

Gjigandi amerikan i prodhimit të avionëve, Boeing, ka mbyllur periudhën prill-qershor me një tjetër bilanc negativ, duke regjistruar një humbje prej 428 milionë dollarësh gjatë këtij tremujori.

Pavarësisht humbjeve financiare, të ardhurat e kompanisë shënuan një rritje prej 8%, duke arritur vlerën e 24.56 miliardë dollarëve.

Pesha kryesore mbi buxhetin e kompanisë gjatë kësaj periudhe erdhi si pasojë e alokimit të burimeve për përshpejtimin e prodhimit të avionëve komercialë, si dhe nga kostot shtesë për zhvillimin e avionit të ri presidencial amerikan, Air Force One.

Në kuadër të projektit Air Force One, kompania u përball me shpenzime të reja që ndikuan drejtpërdrejt në rezultat. Boeing pati 280 milionë dollarë kosto të reja për programin Air Force One, të negociuar gjatë mandatit të parë të Donald Trump në 2018 me një çmim fiks prej 3.9 miliardë dollarësh.

Projekti i avionit presidencial po përballet me vonesa të konsiderueshme në afatet e dorëzimit, çka ka rritur presionin financiar mbi gjigandin e aviacionit.

Kontrata është katër vjet pas afatit dhe e ka lënë Boeing të ekspozuar ndaj miliarda dollarëve në kosto shtesë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›